VDEKJA, RINGJALLJA, XHEHENEMI (FERRI)

Shkarko Librin

Download (DOC)
Lexoni Online
Download (PDF)
Komentet

Kapitujt e librit

< <
7 / total: 7
Vdekja, Ringjallja, Xhehenemi (Ferri) - Harun Yahya
VDEKJA, RINGJALLJA,
XHEHENEMI (FERRI)
   
A menduat se Ne u krijuam kot dhe se nuk do ktheheni ju te Ne?
(Sure Mu’minun: 115)



VUAJTJA E XHEHENEMIT DËRGIMI NË XHEHENEM

Xhehenemi…Ky vendbanim, ku atributet e Allahut, el-Xhabar (Imponuesi), el-Kahar (Nënshtruesi) dhe el-Muntekim (Hakmarrësi) manifestohen përjetësisht është krijuar veçanërisht për t’i shkaktuar vuajtje njeriut. Në Kuran, xhehenemi përshkruhet sikur të ishte një qenie e gjallë. Kjo krijesë është përplot zemërim dhe urrejtje për jobesimtarët. Që nga dita kur është krijuar, pret me padurim që të hakmerret mbi jobesimtarët. Etja e xhehenemit për jobesimtarët kurrë nuk mund të shuhet. Urrejtja e tij ndaj jobesimtarëve e bën atë të tërbohet. Kur takon ata të cilët mohojnë, tërbimi i tij bëhet më i fortë. Krijimi i kësaj flake i shërben një qëllimi të vetëm: të shkaktojë vuajtje të padurueshme. Me të vërtetë, ai do ta kryej detyrën e tij dhe do të japë dhimbjen më të rëndë të mundshme.

Pasi që të ndodhë gjykimi i jobesimtarëve në praninë e Allahut, ata do të marrin Librat e tyre nga ana e majtë e tyre. Ky është momenti kur ata do të dërgohen në xhehenem përjetësisht. Për jobesimtarët nuk ekziston mundësia për të ikur. Do të ketë me miliarda njerëz, dhe kjo turmë e madhe nuk do t’u jap jobesimtarëve mundësinë për të ikur apo për t’u lënë anash. Askush s’mund të fshihet në këtë turmë. Ata që dërgohen në xhehenem vijnë me një dëshmitar dhe një grahës të vet:

Dhe i fryhet surit, e ajo është dita e premtuar (për dënim). E do të vijë secili njeri bashkë me të dhe grahësi edhe dëshmitari. (I thuhet) Ti ishe në një huti nga kjo (ditë) e Ne ta tërhoqëm perden tënde dhe tash ti sheh shumë mprehtë. E shoku (përcjellësi) i tij do të thotë: "Kjo që është te unë (regjistri i veprave) është gati. Ju të dy (engjëjt) hidhini në Xhehenem secilin mohues kryeneç. Secilin pengues të veprave, mizor e të dyshimtë në fe. I cili Allahut i shoqëroi Allah tjetër, pra hidheni atë në vuajtjet më të rënda". (Sure Kaf: 20-26)

Jobesimtarët do të dërgohen drejt këtij vendi të tmerrshëm. Sipas Kuranit, ata dërgohen “në turma”. Mirëpo, gjatë rrugës për në xhehenem, në zemrat e jobesimtarëve frymëzohet frika. Zhurma e tmerrshme dhe gjëmimi i zjarrit dëgjohet në largësi:

Kur të hidhen në të, ata do t'ia dëgjojnë atij ushtimën e ai vlon. Nga zemërimi, ai gati copëtohet. Sa herë që hidhet në të ndonjë turmë, roja i pyet: "A nuk ju pat ardhur juve ndonjë pejgamber (qortues)?" (Sure Mulk: 7-8)

Prej këtyre vargjeve, është e qartë se kur të rikrijohen, të gjithë jobesimtarët do të kuptojnë se ç’do t’ju ndodhë. Ata do të mbeten krejtësisht të vetmuar; nuk do të kenë shokë, të afërm apo përkrahës për t’ju ndihmuar. Jobesimtarët nuk do të kenë fuqi për të qenë mendjemëdhenj dhe do të shikojnë tinëzisht. Njëri prej ajeteve përshkruan këtë moment si vijon:

Do t'i shohësh ata duke iu afruar atij (zjarrit) të frikësuar nga nënshtrimi, se si e shikojnë me bisht të syrit tinëzisht (me një shikim të vjedhur). Ata që besuan do të thonë: "Vërtet, të humbur në ditën e kiametit janë ata që e humbën vetveten dhe familjen e vet!" Ta dini pra, se mizorët janë në dënim të përjetshëm. (Sure Shura: 45) 

Hyrja për në xhehenem dhe portat e xhehenemit

Në fund jobesimtarët arrijnë tek dyert e xhehenemit. Kurani përshkruan ngjarjet atje si vijon:

E ata që nuk besuan sillen në grupe te Xhehenemi, e kur arrijnë te ai, dyert e tij hapen e roja e tij u thotë atyre: "A nuk u patën ardhur juve të dërguar nga mesi juaj t'ju lexojnë shpalljet e Allahut tuaj, t'ju tërheqin vërejtjen për ballafaqimin tuaj në këtë ditë?" Po, (na kanë ardhur...) thonë ata, por fjala (vendimi) e dënimit domosdo është bërë realitet kundër jobesimtarëve! U thuhet: "Hyni nëpër dyer të Xhehenemit, aty do të jeni përgjithmonë, sa vend i keq është për kryelartët!" (Sure Zumer: 71-72)

Për secilin prej grupeve krijohet një portë e posaçme e xhehenemit. Varësisht nga shkalla e kundërshtimit të tyre ndaj Allahut, njerëzit i nënshtrohen një klasifikimi. Jobesimtarët vendosen në vendet e tyre individuale në xhehenem sipas gjynaheve që kanë bërë. Kjo shprehet kështu në Kuran:

(Allahu) Ju thotë: "Hyni në Xhehenem me atë popull që ishte para jush nga xhinët dhe njerëzit (e që ishin si ju). Sa herë që një grup hyn në të, e mallkon atë të mëparshmin derisa kur të arrijnë në të të gjithë, grupi i fundit i tyre thotë për grupin e parë: "Allahu ynë, këta (paria) na kanë humbur neve (nga rruga e drejtë), pra shtoju dënimin me zjarr atyre!" (Allahu) Thotë: "Për secilin (grup) është (dënimi) i shtuar, por ju nuk po dini. (Sure A’raf: 38)

Një tjetër ajet jap informacion të hollësishëm për xhehenemin:

…E s'ka dyshim se xhehenemi është vend premtimi i të gjithë atyre. Ai (xhehenemi) i ka shtatë dyer, çdonjëri prej tyre ka shtegun (derën) e caktuar (nëpër të cilën do të hyjë). (Sure Hixhr: 43-44)

Ata që i nënshtrohen torturës më të rëndë do të jenë hipokritët. Këta janë njerëzit të cilët u sollën sikur të jenë besimtarë, edhe pse nuk kishte besim në zemrat e tyre:

S'ka dyshim, munafikët do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të zjarrit dhe për ta nuk do të gjesh mbrojtës. (Sure Nisa: 145)

Xhehenemi është plot urrejtje; uria e tij për jobesimtarët nuk mund të shuhet kurrë. Përkundër asaj se shumë jobesimtarë hidhen në të, ai kërkon më shumë:

(Përkujto) Ditën kur Ne Xhehenemit i themi: "A je mbushur?" E, ai thotë: "A ka ende?" (Sure Kaf: 30)

Kur të ndizet njëherë, do të vazhdojë të digjet përjetësisht. Allahu përshkruan xhehenemin në Kuran si vijon:

E Unë atë do ta hedhë në Sekar! E, ku e di ti se çka është Sekar? Ai nuk lë send të mbetet pa e djegur. Ai është që ua prish dhe ua nxin lëkurat. (Sure Mudeththir: 26-29)

Padyshim, hyrja për në xhehenem është po ashtu e dhimbshme. Njerëzit “hidhen” në të. Sipas një ajeti tjetër, ata “hidhen njëri mbi tjetrin”  (Sure Shu’ara: 94) në të.

Një jetë e pafund prapa dyerve të mbyllura

Posa të arrijnë jobesimtarët në xhehenem, dyert mbyllen pas tyre. Këtu, ata shohin pamjet më të frikshme. Ata menjëherë kuptojnë se do të “futen” në xhehenem, vendi në të cilin ata do të banojnë përjetësisht. Dyert e mbyllura tregojnë se nuk do të ketë shpëtim. Allahu përshkruan gjendjen e jobesimtarëve si vijon:

 Ndërsa ata që nuk i besuan argumentet Tona, ata janë të të majtës. Kundër tyre është zjarri i mbyllur. (Sure Beled: 19-20)

Kjo vuajtje në Kuran përshkruhet si “një dënim i rëndë” (Sure Ali Imran: 176), “ndëshkim i rreptë” (Sure Ali Imran: 4) dhe “një ndëshkim i dhimbshëm e pikëllues” (Sure Ali Imran: 21). Përshkrimet e tij janë të papërshtatshme për të dhënë një kuptim të plotë të ndëshkimit në xhehenem. Duke mos qenë në gjendje që të durojë madje edhe djegiet e vogla në këtë botë, njeriu nuk mundet as ta paramendoj të jetë i ekspozuar zjarrit përjetësisht. Për më tepër, dhimbja që zjarri shkakton në këtë botë nuk mund të krahasohet me ndëshkimin e rëndë të xhehenemit. Asnjë dhimbje nuk mund të jetë e ngjashme me atë të xhehenemit:

Atë ditë askush nuk mund të dënojë sikur Ai. Dhe askush si Ai nuk mund të lidhë me pranga. (Sure Fexhr: 25-26)

Ekziston jeta në xhehenem. Mirëpo kjo është një jetë në të cilën secili moment është përplot vuajtje dhe dhimbje. Në atë jetë, çdo lloj mundimi fizik, mendor dhe psikologjik, krahas formave të ndryshme të torturës dhe turpërimit shfryhen në mënyrë të papërmbajtur. Është e pamundshme që të krahasohet me çfarëdo vuajtje në dynja.

Njerëzit në xhehenem e perceptojnë dhimbjen përmes të gjitha pesë shqisave. Sytë e tyre shohin pamje të neveritshme dhe të frikshme; veshët e tyre dëgjojnë britma të rrëqethëse, gjëmime dhe klithma; hundët e tyre mbushen me erëra të padurueshme dhe të hidhura; gjuhët e tyre shijojnë shijet më të ndyta dhe më të padurueshme. Ata e ndiejnë xhehenemin thellë në qelizat e tyre; kjo është një dhimbje e rëndë që çmend e që është vështirë të imagjinohet në këtë dynja. Lëkura e tyre, organet e tyre të brendshme dhe tërë trupi i tyre shkatërrohet dhe ata përdridhen nga dhimbja.

Njerëzit e xhehenemit janë shumë të qëndrueshëm ndaj dhimbjes dhe nuk vdesin kurrë. Prandaj, ata nuk mund ta shpëtojnë veten kurrë nga mundimi. Lëkurat e tyre shërohen duke u djegur ata; e njëjta vuajtje vazhdon përjetësisht; forca e vuajtjes nuk pakësohet kurrë. Allahu thotë në Kuran: Hyni në të! Për juve është njësoj, bëtë durim ose nuk bëtë. Shpërbleheni me atë që me veprat tuaja e merituat. (Sure Tur: 16)

Jo më pak se dhimbja fizike, dhimbja mendore është po ashtu e rëndë në xhehenem. Njerëzit në xhehenem përjetojnë pendim të thellë, bien në gjendje të pashpresë, ndjehen të dëshpëruar dhe kalojnë kohëra të pafund dëshpërimi. Vuajtja është e përjetshme; edhe nëse do të mbaronte pas miliona apo miliarda vitesh, madje edhe një mundësi e tillë afatgjatë do të nxiste shpresa të zjarrta dhe do të mbetej një arsye e fuqishme për lumturi dhe gëzim. Mirëpo, amshueshmëria e vuajtjes do të frymëzojë njëfarë dëshpërimi që nuk mund të krahasohet me cilëndo ndjenjë të ngjashme në këtë botë.

Sipas Kuranit, xhehenemi është një vend ku përjetohet dhimbje e jashtëzakonshme. Është ngushtë, zhurmshëm, me tym dhe i zymtë, që fut ndjenjën e pasigurisë në shpirtin njerëzor. Ai është një vend që karakterizohet me erëra të neveritshme, flakë që digjen thellë në zemër, pije dhe ushqim të ndyrë, petka prej zjarri dhe katrani të shkrirë. Këto janë karakteristikat themelore të xhehenemit. Megjithatë, ekziston një jetë që jetohet në këtë mjedis të tmerrshëm. Njerëzit e xhehenemit kanë shqisa të mprehta. Ata dëgjojnë, flasin dhe grinden dhe përpiqen të ikin nga vuajtja. Ata digjen në zjarr, ndiejnë etje dhe uri dhe ndiejnë pendim. Ata vuajnë nga ndjenja e fajësisë. Ajo që është më me rëndësi, ata duan që dhimbja t’ju lehtësohet.

Njerëzit e xhehenemit jetojnë një jetë pafundësisht më të ulët se atë të kafshëve në këtë mjedis të ndotur dhe të neveritshëm. I vetmi ushqim që kanë ata janë frytet e hidhura me gjemba dhe druri i zekumit. Pija e tyre, në anën tjetër, është gjaku dhe qelbi. Ndërsa, zjarri i ngulfat ata gjithkund. Ankthi i xhehenemit përshkruhet si vijon:

Është e vërtetë se ata që mohuan argumentet Tona, do t'i hedhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ndërrojmë lëkura të tjera që të shijojnë dënimin. Allahu është i plotfuqishëm, i drejtë. (Sure Nisa: 56)

Me lëkurë të çjerrur, mish të djegur dhe gjakun që spërkat gjithandej, ata janë të prangosur me zinxhirë dhe të fshikulluar me kamxhik. Me duart e lidhura rreth qafave të tyre, ata hidhen në bërthamën e xhehenemit. Ndërsa, engjëjt e ndëshkimit i vendosin ata që janë fajtor në shtretër zjarri, me mbulesa po ashtu prej zjarri. Arkivolet në të cilat vendosen ata janë po ashtu të mbuluara me zjarr. Jobesimtarët vazhdimisht lëshojnë klithma për të shpëtuar nga një ankth i tillë. Dhe për këtë, ata shpesh marrin/pranojnë më shumë përulje/poshtërim dhe vuajtje. Ata lihen krejtësisht të vetmuar.

Këto skena do të bëhen të gjitha realitet. Ato janë të vërteta. Ato janë më të vërteta se jeta jonë e përditshme.

Ata “nga njerëzit që adhurojnë Allahun me mëdyshje” (Sure Haxhxh: 11); ata që thonë: “Neve nuk do të na djegë zjarri vetëm për pak ditë të numëruara” (Sure Ali Imran: 24); ata që i bëjnë paratë, pozitën, karrierat dhe të tilla gjëra tjera materiale synimet kryesore të jetës së tyre dhe prandaj shpërfillin kënaqësinë e Allahut; ata që ndryshojnë urdhrat e Allahut në pajtim me dëshirat dhe qejfet e tyre; ata të cilët e interpretojnë Kuranin në pajtim me interesat e tyre personale; ata të cilët devijojnë nga rruga e drejtë – thënë shkurt – të gjithë jobesimtarët dhe hipokritët do të banojnë në xhehenem, përveç atyre të cilëve Allahu u dhuron mëshirën dhe faljen e Tij. Kjo është fjala përfundimtare e Allahut dhe padyshim se do të realizohet:

Sikur të kishim dëshiruar Ne, secilit do t'i jepnim udhëzimin, por fjala (vendimi) Ime ka marrë fund (definitiv) se do ta mbushë Xhehenemin së bashku me xhinë e njerëz. (Sure Sexhde: 13)

Këta njerëz tashmë janë paracaktuar për xhehenem:

Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për xhehenem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët. (Sure A’raf: 179) 

Mundimi i Zjarrit

Në këtë jetë të xhehenemit, mundimi më i madh dhe më kryesor është padyshim të qenit i ekspozuar zjarrit. Ndryshe nga format tjera të mundimit, zjarri, si një karakteristikë dalluese e xhehenemit, lë gjurmë të pandreqshme në trupin e njeriut. Ky mundim është mundim që përshkon trupin e njeriut deri në “qelizat” e tij. Njerëzit e xhehenemit hidhen në këtë “Zjarr të furishëm” (Sure Me’arixh: 15). Ata digjen në “një Zjarr përcëllues” (Sure Furkan: 11) që është  “një zjarr i ndezur fort” (Sure Lejl: 14). Në një ajet Kur’anor, thuhet:

Ndërsa, atij që ka peshojën e lehtë të veprave të tij, Vendi i tij do të jetë në Havije. E ç'është ajo që të njoftoi se ç'është ai (Havije)? Është zjarri me nxehtësi shumë të lartë. (Sure Kari’a: 8-11)

Nga këto ajete, kuptojmë se zjarri shfryen gjithandej xhehenemit. Në këtë humnerë, nuk ekziston as edhe një vend i vetëm që mbetet i mbrojtur nga zjarri. Zjarri arrin çdo kënd të xhehenemit. Përderisa i nënshtrohet formave tjera të mundimit fizik dhe shpirtëror, jobesimtari është vazhdimisht në kontakt me zjarrin. Zjarri i xhehenemit është pamasë i madh. Në Kuran, nxjerren ngjashmëri midis shkëndive të zjarrit dhe “shkëndive të mëdha me madhësi të kështjellave” dhe “një turmë të deveve të verdha” për të përshkruar fuqinë dhe madhësinë e zjarrit.

Në atë Ditë, mjerë për mohuesit!
Shkoni tek ajo që e mohuat! 
Shkoni te ajo hije (mjegull) që ka tri degëzime. Që nuk bën as hije, as nuk mbron prej flakës. Ai (Xhehenemi) hedh gaca të mëdha si ndonjë kështjellë. E që janë si të ishin deve të verdha (shumë të shpejta). (Sure Murselat: 28-33)

Jobesimtarët ia kushtojnë tërë energjinë e tyre ikjes prej flakëve, por kjo nuk është e lejueshme. Ai është një zjarr “që e thërret (tërheq prej vetes) atë që është zmbrapsur e larguar (prej besimit).” (Sure Me’arixh: 17) Një tjetër ajet flet për fatin e mohuesve:

 E ata që nuk respektuan Allahun, strehim i tyre është zjarri. Sa herë që të tentojnë të dalin nga ai, kthehen në të dhe atyre u thuhet: "Shijoni dënimin e zjarrit që ju e konsideronit rrenë. (Sure Sexhde: 20)

Klithmat dhe rënkimet e atyre që i nënshtrohen këtij mundimi mund të dëgjohen gjithandej. Vet këto klithma dhe rënkime të llahtarshme janë një burim i posaçëm mundimi për jobesimtarët:

Aty ata do të kenë rënkim dhe aty ata nuk dëgjojnë. (Sure Enbija: 100)

E sa u përket atyre fatkëqijve, ata janë në zjarr, aty ata kanë dihatje kërhamë të vështirë (në frymëmarrje). (Sure Hud: 106)

Zjarri shkakton dhimbje të padurueshme. Qeniet njerëzore nuk janë të afta të durojnë madje as edhe dhimbjen që shkakton zjarri i një fije qibriti. Megjithatë, cilado dhimbje që ne përjetojmë në këtë botë nuk mund të krahasohet aspak me atë që shkakton zjarri i xhehenemit. Askush nuk mund t’i ekspozohet zjarrit në këtë dynja për një periudhë të gjatë kohore. Ai ose vdes për 5-10 sekonda ose ndien një dhimbje për një periudhë të kufizuar kohore. Mirëpo, zjarri i xhehenemit është i tmerrshëm; ai nuk mbyt por vetëm shkakton dhimbje. Njerëzit në xhehenem do t’i nënshtrohen një zjarri i cili do të mbetet përjetësisht. Dija se ky mundim nuk do të mbarojë kurrë i bën bashkëvuajtësit e xhehenemit të bien në një gjendje të dëshpërimit të plotë. Ata ndjehen të dëshpëruar dhe përjetojnë një ndjenjë të rrënimit të plotë.

Një fytyrë e djegur është aspekti më i padëshirueshëm i mundimit. Kjo për arsye se fytyra është pjesë e rëndësishme e trupit, e cila i jap njeriut ndjenjën e krenarisë. Ajo i jap një personi një identitet dhe është shprehja më domethënëse e asaj që ne quajmë “Unë”. Shpesh, tiparet e të qenit i shëmtuar apo i bukur i vishen fytyrës. Me pamjen e fotografive të një personi me ndonjë gjurmë të madhe djegieje në fytyrën e tij, njerëzit ngushtohen dhe menjëherë i drejtohen Allahut duke kërkuar mbrojtje për veten e tyre ndaj një fatkeqësie të tillë. Askush nuk dëshiron të goditet nga një fatkeqësi e tillë. Megjithatë, jobesimtarët janë të pavëmendshëm ndaj një të vërtete të rëndësishme; ata gradualisht i afrohen një fundi të ngjashëm dhe një fundi tmerrësisht të rëndë. Dhimbja e zjarrit të xhehenemit depërton në tërë trupin e njeriut. Megjithatë, kur fytyra i ekspozohet zjarrit, mundimi bëhet i padurueshëm. Sytë, veshët, hunda, gjuha dhe lëkura, shkurt, të gjitha organet shqisore janë të vendosura në këtë pjesë të rëndësishme të trupit. Çfarëdo kërcënimi ndaj fytyrës, sado i vogël të jetë, ngjallë një reagim të fuqishëm refleksiv. Megjithatë, në xhehenem fytyra digjet. Në këtë mënyrë, pjesa më e ndjeshme e trupit lëndohet në mënyrën më të rëndë. Ky mundim përshkruhet në ajetet në vazhdim:

Ditën kur fytyrat e tyre do të përmbysen në zjarr e thonë: "Të mjerët ne, ta kishim adhuruar Allahun e respektuar të dërguarin!" (Sure Ahzab: 66)

Petkat e tyre janë nga katrani, kurse fytyrat e tyre do t'i mbulojë zjarri. (Sure Ibrahim: 50)

Zjarri do t'ua djegë atyre fytyrat dhe do të duken shumë të shëmtuar brenda tij. (Sure Mu’minun: 104)

Lënda djegëse për Zjarrin e xhehenemit dhe uji që vlon

Në përshkrimet Kur’anore lidhur me mënyrën se si jobesimtarët digjen në xhehenem, ndeshemi me një shprehje mahnitëse: jobesimtarëve u referohet si “lëndë djegëse për Zjarrin e xhehenemit”. Djegia e tyre dallon prej djegies se çfarëdo gjëje tjetër në zjarr. Vet jobesimtarët përbëjnë lëndën djegëse të zjarrit:

Ndërsa, ata që lëshuan rrugën, ata u bënë lëndë e Xhehenemit! (Sure Xhinn: 15)

Druri lënda e zjarrit, digjet më gjatë se çfarëdo materiali tjetër dhe me intensitet më të madh. Gjithashtu, jobesimtarët bëhen lëndë djegëse e këtij zjarri të cilin ata dikur e kishin mohuar. Ky fakt zbulohet në vargjet në vazhdim:

O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara. (Sure Tahrim: 6)

Është e vërtetë se atyre që nuk besuan nuk do t'u vlejë asgjë para Allahut, as pasuria e as fëmijët e tyre. Ata vetë janë lëndë e zjarrit. (Sure Ali Imran: 10)

Ju, dhe ajo që adhuruat ju pos Allahut, do të jeni lëndë e Xhehenemit, dhe keni për të hyrë në të. (Sure Enbija: 98)

Sikurse njeriu që shërben si lëndë djegëse, ekziston po ashtu edhe lënda e vërtetë djegëse për të ndezur zjarrin. Sidoqoftë, kush ishte shumë i afërt në këtë dynja, - burri dhe gruaja, për shembull – bartin dru për zjarrin e njëri tjetrit. Ebu Lehebi dhe gruaja e tij janë shembull për këtë:

 Qoftë i shkatërruar Ebu Lehebi, e ai më është shkatërruar! Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet, as ajo çka fitoi! Ai do të hyjë në një zjarr të ndezur flakë. E edhe gruaja e tij, ajo që barti dru (ferra), E në qafën e saj ajo ka një litar të përdredhur. (Sure Mesed: 1-5)

Kjo është shkëputja e të gjitha lidhjeve në këtë botë. Jobesimtarët, të cilët thoshin se e donin shumë dhe ngritën krye kundër Allahut bashkë, ia mbarojnë zjarrin njëri tjetrit në xhehenem. Bashkëshortja e njeriut, kushërinjtë e afërm dhe të gjithë miqtë e ngushtë të njeriut do të bëhen armiq. Tradhtia nuk do të njeh kufij.

Zjarri i ushqyer nga druri “i gjallë” dhe i pajetë po ashtu vlon ujin që “përvëlon” jobesimtarët. Lëkura, njëri prej organeve më vitale që shtrihet në tërë trupin e njeriut, dhe që mezi arrin një trashësi prej disa milimetrave, e bën njeriun të ndiej botën e jashtme me anë të shqisës së të prekurit. Të gjitha pjesët vitale të trupit si fytyra, duart, krahët, këmbët, duke përfshirë organet gjenitale, – organet të cilave njeriu u jap rëndësinë më të madhe – janë të mbuluara me lëkurë. Ashtu siç është organi me anën e të cilit njeriu pranon kënaqësinë, duke iu falënderuar ndjeshmërisë së saj, lëkura e njeriut mund të bëhet edhe burim kryesor i dhimbjes. Ajo është posaçërisht e ndjeshme ndaj zjarrit dhe lëngjeve përvëluese. Zjarri e përcëllon lëkurën, uji që zien e përvëlon atë. Uji që zien e shkatërron lëkurën plotësisht; vështirë se ndonjë copë e lëkurës mbetet pa u dëmtuar. Lëkura e hollë së pari ënjet dhe pastaj pezmatohet, duke sjellë dhimbje të madhe. As joshja fizike, as pasuria materiale, as fuqia, as fama, shkurt, asgjë nuk e bën një njeri rezistent ndaj lëndimit të shkaktuar nga uji që zien. Sipas Kuranit: Të tillët janë ata që ranë viktimë e asaj që punuan. Ata, për shkak se mohuan, për pije kanë ujë të vluar e dënim të hidhët. (Sure En’am: 70) Në një ajet tjetër, thuhet:

E në qoftë se është prej gënjeshtarëve të humbur, Mirëseardhja e tyre është pritje me ujë të valë. Dhe djegie nga zjarri i Xhehenemit. E s’ka dyshim se kjo është ajo e vërteta e sigurt. (Sure Vakia: 92-95) 

Njëri prej ajeteve përshkruan këtë formë të mundimit si vijon:

(U thuhet engjëjve për mëkatarin) Rrëmbejeni e graheni në mes të Xhehenemit. Dhe hidhni mbi kokën e tij ujin e valë e shtoja mundimin. (I thuhet): Shijoje! se ti je ai i forti, i autoritetshmi. E ky është ai (dënimi) për të cilin dyshonit. (Sure Duhan: 47-50)

Përveç këtyre, ekzistojnë forma të tjera të dhimbjes të shkaktuara prej zjarrit. Shënjimi është njëra prej tyre; njerëzit e xhehenemit shënjohen me metale të skuqura. Mirëpo, këto metale janë në të vërtetë gjëra që jobesimtarët ia përshkruan shok Allahut në këtë botë:

Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e Allahut, lajmëroji për një dënim të dhimbshëm. Atë ditë kur ajo (pasuri e deponuar) fërgohet në prushin e xhehenemit, e me të lyhen ballët, anët dhe shpinat e tyre (do t'u thuhet): "Kjo është ajo që grumbulluat për veten tuaj, pra shijoni atë që grumbullonit!" (Sure Teube: 34-35)

Format tjera të vuajtjes

Në kundërshtim me urtësinë përgjithësisht të pranuar, xhehenemi nuk është thjeshtë një “furrë gjigante.” Njerëzit e xhehenemit do t’i ekspozohen zjarrit. Kjo është e vërtetë. Mirëpo, vuajtja në xhehenem nuk kufizohet vetëm me djegie. Banorët e xhehenemit i rrethojnë po ashtu mundimet tjera fizike dhe psikike.

Për ta torturuar dikën në këtë botë, përdoren metoda dhe mjete të ndryshme. Shpeshherë torturimi gjymton viktimat e tij. Nganjëherë ata vdesin prej dhimbjeve. Ata të cilët mbijetojnë sëmuren mentalisht. Megjithatë, është fakt se teknikat për torturim që përdoren në këtë botë janë pakrahasueshëm më të thjeshta se ato të xhehenemit. Banorët e xhehenemit do t’ju nënshtrohen torturave shumë të ndryshme dhe të rënda. Në rastin e një personi i cili ekzekutohet me rrymë, rryma si edhe ndjeshmëria e njeriut ndaj elektricitetit janë të dyja të krijuara prej Allahut. Shumë burime tjera të panjohura të dhimbjes dhe dobësitë e njeriut të gjitha formojnë një pjesë të dijenisë së përkryer të Allahut. Pra, Allahu do të shkaktojë mundimin më të rëndë prej të gjitha mundimeve. Ky është ligji i Allahut, el Kaharit (Nënshtruesit).

Sipas fjalëve të Kuranit, në xhehenem, mjerimi është prezent kudo. Nuk ka mundësi që njeriu t’i shmanget vuajtjes, ajo rrethon banorët e xhehenemit nga të gjitha anët. Ata nuk munden as t’i rezistojnë dhe as t’i shmangen asaj:

 Po, si e kërkojnë ata ngutjen e ndëshkimit? E në të vërtetë Xhehenemi është që i ka rrethuar në të gjitha anët jobesimtarët. (Sure Ankebut: 54-55)

Veç kësaj, ekzistojnë edhe burime tjera të vuajtjes në xhehenem. Ato numërohen në Kuran si vijon:

Xhehenemin që do të hidhen në të, e sa djep i shëmtuar është ai. Ky është ujë i valë dhe i ndyrë; le ta shijojnë atë! I presin edhe dënime të tjera të llojllojta sikurse ai. (Sure Sad: 56-58)

Nga ky ajet dhe nga ajete tjera, kuptojmë se mund të ketë lloje të ndryshme të vuajtjes në xhehenem. Në Kuran përmenden ato që janë më të dukshme, siç është zjarri dhe poshtërimi. Megjithatë, banorët e xhehenemit assesi nuk janë imun ndaj formave tjera të vuajtjes. Për shembull, përveç zjarrit dhe ujit të vluar, të qenit i sulmuar nga shtazët e egra, të qenit i hedhur në një gropë të thellë me insekte, akrep dhe gjarpinj, kafshimi prej minjve, vuajtja nga plagë të krimbura dhe shumë e shumë të tjera që tejkalojnë imagjinatën ka mundësi t’i bëjnë të vuajnë keqbërësit njëkohësisht.

Nxehtësia, errësira, tymi dhe ngushtësia

Për secilin individ në botë të qenit në vende të ngushta, të nxehta dhe të ndyta është gjëja më e mundimshme. Lagështia dhe nxehtësia shkaktojnë ndjenjën e zënies së frymës; frymëmarrja, një funksion thelbësor i trupit, vështirësohet në nivele të larta të lagështisë. Pamundësia për të marrë frymë shkakton lodhje të madhe; kraharori ngushtohet. Madje edhe hija nuk siguron kurrfarë lehtësimi në mot shumë të nxehtë dhe lagështi. Sidoqoftë një shtresë rrethuese e paparë e trashë ajri bëhet mbytëse. Madje edhe nivelet e temperaturës dhe lagështisë në një saunë janë vështirë të përballueshme. Në pamundësi që të duroj avullin e madh për vetëm dhjetë minuta, një personi të mbyllur në një saunë i bie të fikët për një kohë të shkurt. Një qëndrim më i gjatë nënkupton vdekjen.

Kjo atmosferë mbytëse mbiAllahëron xhehenemin. Njeriu, i cili ndërmerr masa paraprake të menduara mirë për të mos u nxehë së tepërmi në këtë botë, ndihen të dëshpëruar në xhehenem. Xhehenemi është më i nxehtë se çdo shkretëtirë dhe më i ndytë dhe më shtypës se cilido vend i imagjinueshëm. Nxehtësia depërton në trupin e njeriut, ajo ndjehet thellë brenda në qeliza. Për jobesimtarët, nuk ekziston mundësia e lehtësimit apo e freskimit atje. Në Kuran, gjendja e banorëve të xhehenemit përshkruhet si vijon:

E të majtit, ç’është puna e të majtëve? Janë në vapë të zjarrit dhe në ujë të valë. Dhe në errësirë tymi. As e freskët e as e këndshme. (Sure Vakia: 43-44) 

Atë ditë është mjerim për ata që përgënjeshtruan. (u thuhet) Shkoni te ai (Xhehenemi) që ju e konsideruat rrenë. Shkoni te ajo hije (mjegull) që ka tri degëzime. Që nuk bën as hije, as nuk mbron prej flakës. (Sure Murselat: 28-31)

Në një ambient të tillë të dendur, të qenit i mbyllur brenda një vendi të ngushtë dëshmon të jetë një formë tjetër e vuajtjes. Ky ndëshkim përshkruhet si vijon:

 E kur të hidhen duarlidhur në një vend të ngushtë në të, aty do të kërkojnë shkatërrimin (vetëzhdukjen). Tash mos kërkoni vetëm njëherë shkatërrimin, por atë kërkojeni shumë herë. (Sure Furkan: 13-14)

Të qenit i mbyllur në një vend të ngushtë shkakton vuajtje që çmend në këtë botë. Mbyllja në vetmi është njëri prej ndëshkimeve më të rënda për të burgosur. Të qenit i ngujuar në veturë me orë të tëra pas një aksidenti apo mbetja i mbyllur brenda rrënojave të një qyteti të rrënuar nga tërmeti konsiderohet të jetë njëra prej fatkeqësive më të rënda. Megjithatë, shembujt e tillë janë të parëndësishëm pranë homologëve të tyre në xhehenem. Në fund të fundit, dikush i ngujuar ose e humb vetëdijen ose vdes apo nxjerret i gjallë pas një kohe. Në të dyja rastet, dhimbja zgjat për një periudhë të caktuar kohe.

Mirëpo, kjo nuk vlen për xhehenemin. Në xhehenem dhimbja nuk ka fund dhe kështu nuk ekziston as shpresa. Në një ambient të ndotur, pa ajër, të errët me tym që mbush ajrin, jobesimtari, me duart e lidhura rreth qafës dhe i lënë në një dhomë të vogël, ku i nënshtrohet vuajtjes. Ai lufton, bën përpjekje të shpëtoj, por pa dobi. Ai nuk mund as të lëvizë. Në fund, ai përgjërohet të lejohet të zhduket, siç thuhet në këtë ajet, dhe e vetmja gjë që dëshiron është të ishte i vdekur. Kjo kërkesë thjeshtë refuzohet. Në atë gropë të ngushtë në të cilën është i ngujuar ai, mbetet me muaj, vite dhe ndoshta edhe për qindra vite me radhë. Një shqetësim në rritje mbush zemrën e tij, ndërsa përgjërohet me mijëra herë për zhdukjen e vet. Njëherë “i shpëtuar”, ai nuk do ta shijojë shpëtimin, por do të përballet me një tjetër fytyrë të xhehenemit.

Ushqimi, pijet dhe veshja

Kjo botë ka një shumëllojshmëri të pafund të ushqimit të shijshëm dhe të ushqyeshëm. Secili prej tyre është një bekim prej Allahut. Llojet e ndryshme të mishit, fryteve dhe perimeve me ngjyra, shije dhe aroma të panumërta, prodhimet e qumështit, mjalta dhe shumë materie tjera ushqyese të prodhuara nga kafshët dhe gjallesat, të gjitha u krijuan posaçërisht nga Allahu dhe me bujari u dhanë në shërbim të njeriut gjatë kohës kur kjo botë u krijua. Veç kësaj, shqisat e njeriut u krijuan në atë mënyrë për t’i perceptuar të gjitha këto shije të këndshme. Me frymëzimin e Allahut, njeriu ka oreks për ushqim të zgjedhur, ndërsa neveritet nga ushqimi i prishur dhe i lig, qelbi dhe kështu me radhë. Ky është një tjetër frymëzim nga Allahu.

Mirësitë, shumë më të mëdha se ato të kësaj bote, janë të përgatitura në xhenet dhe prej tyre besimtarët do të nxjerrin dobi përjetësisht. Kjo është dhuratë e Allahut, Atij që dhuron begati dhe mirëqenie. Banorët e xhehenemit, në anën tjetër, si ndëshkim për veprat e liga që i kanë bërë në këtë botë, mbahen larg të mirave të Allahut, er-Rezak-ut (Furnizuesit), ashtu që vuajtja është gjithçka me çka ata ndeshen:

E në ditën kur ata që nuk besuan paraqiten pranë zjarrit (e u thonë): Ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e dynjasë dhe i përjetuat ato, e sot, për shkak se keni bërë mendjemadhësi në tokë pa të drejtë dhe për shkak se nuk respektuat urdhrat e Allahut, do të shpërbleheni me dënim nënçmues. (Sure Ahkaf: 20)

Nuk do të ketë mirësi tjera për ta. Madje edhe plotësimi i nevojave më thelbësore rezulton të jetë vuajtje. Ushqimi është krijuar posaçërisht nga Allahu si burim i vuajtjes. Gjërat e vetme që mund të hahen janë frytet e hidhura me gjemba dhe druri i zekumit, të cilat as nuk ushqejnë dhe as nuk ngopin. Ato vetëm sjellin dhimbje, duke e shqyer gojën, fytin dhe barkun dhe japin shije dhe aromë të neveritshme. Në Kuran, gjejmë përshkrimet si të bukurive madhështore dhe të ushqimit të shijshëm karakteristike për xhenet ashtu edhe të ushqimit të padurueshëm të banorëve të xhehenemit:

A kjo pritje (me shpërblim të Allahut) është më e mirë, apo pema e "Zakum-it"? Ne atë e kemi bërë sprovë për zullumqarët. Ajo është një pemë që mbin në fund të Xhehenemit. Pema (fryti) e saj është sikurse koka dreqërish. E ata do të hanë nga ajo dhe do të mbushin barqet prej saj. (Sure Saffat: 62-66)

Ata nuk kanë ushqim tjetër pos një barishte me ferra helmuese. Që as nuk jep fuqi, as nuk largon uri. (Sure Gashije: 6-7)

Banorët e xhehenemit, duke qenë kryengritës dhe mosmirënjohës ndaj Allahut, e meritojnë një shpërblim të tillë. Si ndëshkim, ata ndeshen me “mikpritjen” e merituar. Në Suren Vakia, kjo rrëfehet si vijon:

Ata përpara kësaj kanë qenë të dhënë pas komoditetit (qejfeve). Dhe ata ishin vazhdimisht në mëkatin e madh. Dhe ishin që thoshin: “A pasi të vdesim, të bëhemi dhe e eshtra të kalbur, njëmend do të ringjallemi? A edhe prindërit tanë të hershëm? Thuaj: “Edhe të parët edhe të fundit!” Kemi për t’u tubuar në një ditë të caktuar! Pastaj ju, o të humbur e gënjeshtarë! Keni për të ngrënë prej pemës Zekum! Prej saj keni për t’i mbushur barqet! E menjëherë pas do të pini pre ujit t vluar! Do të pini si deveja e etshme!” Kjo është mirëseardhja e tyre ditën e gjykimit. (Sure Vakia: 45-56)

Në dynja, njeriu herë pas here vuan prej ndonjë infektimi të rëndë të fytit apo nga dhimbja e barkut. Mirëpo, në xhehenem, mezi kalon ndonjë minutë pa përjetuar dhimbje prej më të rëndave. Ushqimi të cilin jobesimtarët kanë të drejtë ta hanë ua zë frymën. Nëse ata arrijnë ndonjëherë ta kapërdijnë atë, ai vlon në barqet e tyre sikurse tunxh i shkrirë: Do të jetë ushqim i mëkatarëve. (Sure Duhan: 44). Kurrë nuk ngop. Duke qenë kështu, banorët e xhehenemit përjetojnë një uri të përhershme dhe të tmerrshme.

Kjo vuajtje nuk kufizohet me një rast të vetëm; ajo përsëritet pa pushim/pandërprerë përjetësisht. Banorët e xhehenemit ndiejnë uri aq fuqishëm sa, përkundër asaj që mundohen pandërprerë, nuk mund të bëjnë ballë ngrënies së fryteve të hidhura me gjemba, të cilat i bëjnë ata të përpëliten prej dhimbjes. Pastaj ia mësyjnë ujit që vlon. Mirëpo, ky ujë kurrë nuk mund të tretet. Siç thuhet në ajetin e mësipërm, ata thithin ujin sikur devetë e çmendura nga etja. Për ta bërë këtë vuajtje edhe më të rëndë, jobesimtarët grahen në xhehenem të etshëm. (Sure Merjem: 86)

Përveç ujit të vluar, një tjetër pije e neveritshme e banorëve të xhehenemit është qelbi. Ky lëng, produkt i pezmatimit, njëra prej sekreteve të trupit të njeriut me erën më të pakëndshme, është zgjidhja e dytë e jobesimtarëve. Qelbi u shërbehet jobesimtarëve bashkë me gjak. Në një ajet tjetër, përmendet qelbi i shërbyer me ujë të vluar, në mënyrë që besimtari ta shijoj shijen e pahijshme të qelbit dhe ta marr me mend vuajtjen e ujit të vluar me të gjitha shqisat e tij.

Përveç se janë të neveritshme dhe të padurueshme, fakti se jobesimtarët i pinë ato prapëseprapë për t’i plotësuar nevojat e tyre shpreh dëshirën e tyre për pije. Posa shijojnë këtë vuajtje, ngarendin pas tjetrës. Për shkak të etjes kurrë të pashuar, banorët e xhehenemit përpëliten nga vuajtja:

Aty nuk do të shijojnë as freskim, as ndonjë pije. Përveç ujë të valë e kalbësirë. Si ndëshkim i merituar. (Sure Nebe’: 24-26)

Ai sot nuk ka këtu ndonjë mik. As ushqim tjetër përveç të shpëlarave. Që atë nuk e ha kush, pos mëkatarëve. (Sure Hakka: 35-37)

Jobesimtarët bëjnë përpjekje të mundimshme për të gëlltitur këtë përzierje, por pa dobi. Gjaku dhe qelbi ua zënë frymën atyre, por ata s’arrijnë të vdesin kurrë:

E pas tij (kryelartit) është xhehenemi, në të cilin i jepet ujë të ndyrë (që rrjedh prej lëkurave të djegura), Përpiqet ta përpijë, po nuk mund ta gëlltis atë, atij i vjen vdekja nga të gjitha anët (sipas shenjave shkatërruese), po ai nuk vdes (e të shpëtojë prej vuajtjeve), atë e pret dënim shumë i rëndë. (Sure Ibrahim: 16-17)

Në këtë gjendje të pashpresë, përmes një bashkëbisedimi të posaçëm, banorët e xhehenemit shohin banorët e xhenetit. Ata bëhen dëshmitar të mirësive të mrekullueshme që gëzojnë banorët e xhenetit. Kjo shton pamasë vuajtjen e tyre. Ndërkohë, banorët e xhehenemit luten për një pjesë të furnizimeve të tyre. Por kjo është një lutje e kotë:

Banuesit e zjarrit i thërrasin (dhe i lusin) ata në Xhenet (duke ju thënë): "Na qitni diç nga uji apo nga ajo që u ka furnizuar Allahu (se mbaruam nga etja)!" Ata (në Xhenet) thonë: "Allahu i ka ndaluar që të dyja këto për jobesimtarët!" (Sure A’raf: 50)

Përveç furnizimeve, veshja e banorëve të xhehenemit është po ashtu e përgatitur posaçërisht për ta. Lëkura e njeriut është një ind i ndjeshëm; madje edhe prekja e stufës së nxehtë apo të një hekuri për hekurosje për një sekondë shkakton një dhimbje të padurueshme. Në rast të tillë, personi që pëson ndien dhimbje me ditë të tëra, plagët e tij pezmatohen dhe ënjten. Mirëpo, xhehenemi gëlon me veshje më të nxehta se hekuri i shkrirë që shndërrohen në zjarr që mbulon lëkurën dhe digjet dhunshëm:

… e atyre që nuk besuan, u qepen rroba prej zjarri… (Sure Haxhxh: 19)

Petkat e tyre janë nga katrani, kurse fytyrat e tyre do t'i mbulojë zjarri. (Sure Ibrahim: 50)

Për ata është përgatitur shtrat nga zjarri dhe mbulojë (nga zjarri). E kështu pra i shpërblejmë zullumqarët. (Sure A’raf: 41)

Engjëjt e ndëshkimit

Përveç gjithë vuajtjes nëpër të cilën kalojnë ata, nuk do të ketë njeri që do t’u ndihmojë banorëve të xhehenemit. Asnjeri nuk do të jetë në gjendje t’i shpëtoj prej tij. Të qenit të braktisur do t’u jap atyre ndjenjën e hidhur të vetmisë. Allahu për keqbërësin thotë në Kuran: “Prandaj, ai sot nuk ka këtu ndonjë mik” (Sure Haka: 35). Midis tyre, do të jenë vetëm “engjëjt e ndëshkimit”, të cilët do t’ju shkaktojnë mundim dhe vuajtje të përjetshme. Këta janë roje jashtëzakonisht të ashpër, të pamëshirshëm dhe të tmerrshëm, që përgjegjësi të vetme kanë t’u shkaktojnë vuajtje të rëndë banorëve të xhehenemit. Përgjegjësia e vetme e tyre është të hakmerren në ata të cilët u ngritën kundër Allahut, dhe ata përgjegjësinë e tyre e kryejnë me plot kujdes dhe vëmendje:

O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara. (Sure Tahrim: 6)

Jo, Jo! Nëse nuk tërhiqet, vërtet do ta kapim për flokësh mbi ballin. Floku rrenacak, mëkatarë. E ai le t'i thërret ata të vetët. Ne do t'i thërrasim zebanitë. Jo, Jo! Ti mos iu bind atij, vazhdo me sexhde dhe afroju Allahut me të. (Sure Alek: 15-19)

Këta engjëj të ndëshkimit bëjnë që jobesimtarët të ndiejnë tërbimin dhe zemërimin e Allahut mbi ta. Ata i nënshtrojnë banorët e xhehenemit torturave më të rënda, më të tmerrshme dhe më poshtëruese.

ëgjë meriton vëmendje të veçantë këtu: engjëjt e ndëshkimit, në të vërtetë, i shmangen edhe padrejtësisë dhe mizorisë më të vogël. Ata kryekëput e japin ndëshkimin ashtu si e meritojnë jobesimtarët. Këta engjëj, manifestimi kryesor i drejtësisë së Allahut, janë qenie të shenjta të cilat e kryejnë këtë detyrë me kënaqësi të madhe dhe me bindje të plotë ndaj Allahut.

VUAJTJA SHPIRTËRORE NË XHEHENEM

Deri tani, kemi përmendur vuajtjen fizike në xhehenem. Megjithatë, hiç më pak se vuajtja fizike, ekziston edhe vuajtja shpirtërore e xhehenemit. Pendimi, mungesa e shpresës, poshtërimi, një ndjenjë e të qenit të keqtrajtuar, turpërimi dhe zhgënjimi janë ndjenja që lindin nga këto vuajtje të ndryshme.

“Zjarri që depërton mu në zemër”

Në një mënyrë apo tjetër, çdonjëri shijon vuajtjen shpirtërore në këtë botë. Për shembull, humbja e një shoku të afërt, e bashkëshortes apo e fëmijëve apo të qenit i mashtruar prej dikujt në të cilin njeriu ka pasur besim të plotë mbush zemrën me një pikëllim të pashpjegueshëm. Ky pikëllim, në të vërtetë, është një formë e posaçme e vuajtjes të cilën Allahu e mbjellë në zemrën e një personi si ndëshkim për hyjnizimin e dikujt që humb apo të dikujt që e ka tradhtuar atë. Individi ka nevojë që para së gjithash t’i demonstroj Allahut ndjenjat e tij të dashurisë, mirënjohjes, frikës, devotshmërisë, besimit dhe miqësisë. Dështimi për ta bërë këtë dhe thjeshtë shfaqja e këtyre ndjenjave ndaj dikujt tjetër, i cili është krijuar po ashtu nga Allahu dhe kështu ka nevojë për Të, me fjalë tjera, shoqërimi i shokëve Allahut, shkakton këtë vuajtje. Idhujtarët e shijojnë këtë pikëllim, në mënyrë që të mund të mësojnë prej kësaj, në mënyrë që të kërkojnë falje dhe t’i drejtohen Allahut para se t’i kaplojë vdekja. Qenia e cila hyjnizohet, nuk është domosdo, një qenie njerëzore. Njerëzit nuk mund t’ju bëjnë ballë gjërave të ndryshme. Prona, të hollat, pasuria, fama, shkurt, çdo gjë apo çfarëdo koncepti i qenies i adhuruar përveç Allahut mund lehtë të hyjnizohet.

Dhimbja që shkakton humbja e këtyre idhujve në zemrën e njeriut në këtë botë nuk është asgjë tjetër vetëm një shikim i shpejtë në krahasim me vuajtjen e madhe të cilës njeriu do t’i nënshtrohet në xhehenem. Në thelb, ky është një paralajmërim. Në xhehenem, forma e vërtetë dhe e pafund e kësaj dhimbjeje e pret një idhujtar. Herë pas here, kjo vuajtje shpirtërore bëhet aq e fuqishme sa, njeriu parapëlqen vuajtjen fizike. Madje edhe vetëvrasja konsiderohet shpëtim. Ky aspekt shpirtëror i vuajtjes në xhehenem theksohet në Kuran dhe përshkruhet si një “zjarr që arrin deri në loçkë të zemrës”:

Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit), Që ka tubuar pasuri dhe që atë e ruan të mos i pakësohet. E mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm. Jo, të mos mendojë ashtu! Se ai pa tjetër do të hidhet në Hutame. E çka din ti se ç'është Hutame? Është zjarri i Allahut i ndezur fort. Që depërton deri në loçkë të zemrës. Ai i mbyll ata, ua zë frymën. Ata janë të lidhur në pranga të njëpasnjëshme. (Sure Humeze: 1-9)

Madje edhe dhimbja më e rëndë në këtë dynja me kohë shuhet. Gjurmët e saj mund të mbeten për një kohë, por koha përfundimisht fshin gjurmët e saj të dhimbshme. Megjithatë, në xhehenem, një dhimbje edhe më e hidhur depërton në zemrat e jobesimtarëve si një furi e papërmbajtur dhe mbetet aty përjetësisht.

Veç kësaj, vuajtja shpirtërore ngjallë një ndjenjë diku midis mungesës së shpresës dhe poshtërimit, tërbimit dhe urrejtjes. Jobesimtarët i nënshtrohen një dhimbje të padurueshme shpirtërore hiç më pak se një dhimbjeje fizike.

Poshtërimi

Shumë ajete lidhur me xhehenemin na bëjnë me dije se jobesimtarët atje i pret një vuajtje poshtëruese dhe turpëruese. Ata e pësojnë këtë ndëshkim për shkak të mendjemadhësisë dhe krenarisë së tyre.

Në këtë botë, njëri prej qëllimeve kryesore të jobesimtarëve është që t’i bëjnë të tjerët t’ua kenë lakmi atyre dhe të vlerësojnë personalitetin dhe pozitën e tyre në shoqëri. Një karrierë e shquar, fëmijët, shtëpitë e mëdha të bukura, veturat dhe pasionet e tjera të ngjashme të dynjasë kanë vlerë më të madhe për individin kur ata bëhen pjesë e krekosjes së kotë me vetveten. Me të vërtetë, në Kuran, krekosja e njeriut me pasuri dhe pronë përmendet si njëra prej joshjeve të kësaj bote.

Ky pasion, domethënë “krekosja”, në ahiret shndërrohet në ankth që në vete mban poshtërimin si edhe dhimbjen fizike. Kjo për arsye se jobesimtari harroi “Allahun, i cili i meriton të gjitha lëvdatat” (Sure Bekare: 267) dhe “që për Allah e çmon epshin dhe dëshirat e tij” (Sure Furkan: 43). Për këtë arsye, ai kryesisht është angazhuar të fitoj vlerësimin e vetes së tij në vend se të madhëroj dhe lavdëroj Allahun. Ai ka ndërtuar jetën e tij mbi fitimin e kënaqësisë së njerëzve tjerë në vend të fitimit të kënaqësisë së Allahut. Për këtë arsye ai është më shumti i dëmtuar kur poshtërohet përpara të tjerëve.

Ankthi më i tmerrshëm për një jobesimtar është të qenit i turpëruar dhe i poshtëruar në sytë e të tjerëve. Ka madje njerëz që më shumë do të donin të vdisnin vetëm për të qenë të vlerësuar në vend se të jenë të turpëruar. Fatkeqësitë që janë karakteristike për xhehenemin kanë këtë tipar në thelbin e tyre. Gjendja e mjerë e banuesve të xhehenemit është kryesisht për shkak të mendjemadhësisë së tyre. Kurrë më parë nuk kanë qenë ata kaq shumë të poshtëruar. Ajete të shumta tërheqin vëmendjen lidhur me këtë të vërtetë:

E në ditën kur ata që nuk besuan paraqiten pranë zjarrit (e u thonë): Ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e dynjasë dhe i përjetuat ato, e sot, për shkak se keni bërë mendjemadhësi në tokë pa të drejtë dhe për shkak se nuk respektuat urdhrat e Allahut, do të shpërbleheni me dënim nënçmues. (Sure Ahkaf: 20)

Të mos mendojnë ata që nuk besuan se afatin që u dhamë Ne atyre të jetojnë, është në dobi të tyre. Ne i lamë të jetojnë vetëm që shtojnë edhe më shumë mëkate, se ata i pret dënim nënçmues. (Sure Ali Imran: 178)

Jobesimtarët u nënshtrohen mijëra formave të trajtimit poshtërues edhe më të ulta se mënyrat si trajtohen kafshët në këtë botë. Kamxhikët, prangat dhe kollaret e hekurta ekzistojnë vetëm për t’i poshtëruar. Të pabesët lidhen për shtylla, prangosen dhe lidhen me zinxhirë.

Në realitet, poshtërimi është thelbi i të gjitha mundimeve në xhehenem. Për shembull, ndërsa hidhen në zjarr, ata poshtërohen. Ky trajtim i frikshëm fillon që nga momenti kur të ringjallet jobesimtari dhe kur zgjidhet për t’u dërguar në xhehenem. Veç kësaj, ky ndëshkim nuk pakësohet kurrë.

Atë ditë nuk pyetet për mëkatin e tij, as njeriu as xhini. E, cilën të mirë të Allahut tuaj po e mohoni? Kriminelët njihen me tiparet e tyre, andaj me rrëmbim kapen për flok dhe për këmbët e tyre. (Sure Rrahman: 39-41)

Në xhehenem, jobesimtari duhet të pajtohet me një mënyrë trajtimi edhe më të keqe se ajo që përjetojnë kafshët. I kapur për flokësh, ai do të tërhiqet zvarrë për tokë dhe do të hidhet në xhehenem. I paaftë të rezistoj, ai do të kërkoj ndihmë, por pa dobi. Një ndjenjë e dëshpërimit vetëm sa do ta shtojë vuajtjen:

Jo, Jo! Nëse nuk tërhiqet, vërtet do ta kapim për flokësh mbi ballin. Floku rrenacak, mëkatarë. E ai le t'i thërret ata të vetët. Ne do t'i thërrasim zebanitë. Jo, Jo! Ti mos iu bind atij, vazhdo me sexhde dhe afroju Allahut me të. (Sure Alek: 15-19)

Ata do të tubohen, do të jenë të përmbysur me fytyrat e tyre në Xhehenem, të tillëve u përket vendi më i keq, ndaj ata janë më të humburit në rrugën e tyre. (Sure Furkan: 34)

Në të njëjtën mënyrë,
…E kush do të paraqitet me punë të këqija (me besim të gabuar), ata do të hidhen të përmbysur në fytyrat e tyre në zjarr, (u thuhet) Ju nuk shpërbleheni me tjetër pos me atë që punuat. (Sure Neml: 90)

…Ditën kur me fytyrat e tyre do të tërhiqen zvarrë në zjarr. "Vuajeni dënimin Sekar". (emër i një Xhehenemi). (Sure Kamer: 48)

Poshtërimi shtohet edhe më tepër kur të jetë në xhehenem. Përveç dhimbjes fizike, një ndjenjë e fuqishme e poshtërimit pushton banorët e xhehenemit:

(U thuhet engjëjve për mëkatarin) Rrëmbeni e graheni në mes të Xhehenemit. Dhe hidhni mbi kokën e tij ujin e valë e shtojani mundimin. (I thuhet): Shijoje! se ti je ai i forti, i autoritetshmi. E ky është ai (dënimi) për të cilin dyshonit. (Sure Duhan: 47-50)

Kamxhikë, kollare dhe zingjirë të punuar posaçërisht përdoren për të poshtëruar jobesimtarët:

U thuhet zebanive: Kapeni atë, vërjani prangat! Pastaj atë shtini në Xhehenem... Mandej, lidheni atë me një zingjirë të gjatë shtatëdhjetë kut. Pse ai ka qenë që nuk besoi Allahun e madhëruar. Ai nuk nxiste për t'i ushqyer të varfrit. (Sure Hakka: 30-34)

Në këtë botë, përveç atyre që janë të egra, madje edhe kafshët nuk lidhen me zingjirë. Dhe sa u përket qenieve njerëzore, vetëm ata që janë të pashërueshëm dhe të retarduar mentalisht të rrezikshëm lidhen me zingjirë. Duke qenë kështu, ata të cilët dërgohen në xhehenem janë krijesat më inferiore prej të gjitha krijesave. Kjo është arsyeja pse, ata prangosen me “një zingjirë që është shtatëdhjetë kubit i gjatë”, siç thuhet në ajetin e lartpërmendur. Vargjet tjera po ashtu japin hollësi për ketë torturë poshtëruese:

Atyre do t'u vihen prangat dhe zingjirët në qafat e tyre e do të zhyten, në ujin e valë dhe pastaj do të digjen në zjarr. Mandej atyre u thuhet: "Ku janë ata që i adhuronit. (Sure Gafir: 71-73)

E nëse ti (Muhammed) çuditesh (përse të përgënjeshtrojnë), është edhe më e çuditshme thënia e tyre: "A do të kemi krijim të ri pasi të jemi bërë dhe?" Këta janë ata që mohuan Allahun e tyre, ata do të ndëshkohen me pranga në qafë. Pra këta janë banues të zjarrit ku do të qëndrojnë përgjithmonë. (Sure Rra’d: 5)

E idhujtarët atë ditë i sheh të lidhur në pranga. Petkat e tyre janë nga katrani, kurse fytyrat e tyre do t'i mbulojë zjarri. (dalin para Allahut) Për ta shpërblyer Allahu secilin njeri me atë që e fitoi. Vërtet, Allahu është llogaritar i shpejtë. (Sure Ibrahim: 49-51)

Këta janë dy kundërshtarë (grupe kundërshtarësh: besimtarë dhe jobesimtarë) që janë zënë rreth Allahut të tyre; e atyre që nuk besuan, u qepën rroba prej zjarri e u hidhet uji i valë mbi kokat e tyre. Që me atë u shkrihet krejt çka në barqet e tyre e edhe lëkurat. Për ata janë edhe kamxhikët e hekurt. (Sure Haxhxh: 19-21)

Shpirti i errët që paraqet poshtërimi bëhet i qartë në fytyrat e banorëve të xhehenemit. Në dynja gjithashtu, mund ta vëresh brengën serioze të njerëzve që janë të turpëruar, çnderuar dhe keqtrajtuar. Poshtërimi në xhehenem do të ndikojë po ashtu në pamjen e banorëve të xhehenemit siç thuhet në vargun në vazhdim:

 Atë ditë sheh fytyra të përulura. (Sure Gashije: 2)

Përveç gjithë këtyre mënyrave të poshtërimit që kemi përmendur deri tani, duhet ta kemi parasysh se forma tjera të ndryshme të tij do të praktikohen në xhehenem. Në Kuran, përdoret termi “poshtërim” dhe jepen disa shembuj për ta sqaruar atë. Megjithatë, duhet të kujtojmë se ky është një term i gjerë i cili assesi nuk mund të kufizohet me pak shembuj. Të gjitha ndjenjat, trajtimi apo ngjarjet që nxisin poshtërimin në shpirtin e njeriut në këtë botë përfshihen në këtë koncept dhe ato janë të gjitha në dispozicion në xhehenem.  

Një pendim i pariparueshëm

Kur të ringjallet, jobesimtari në mënyrë të hidhur kupton veprat e këqija që ka punuar. Pendimi i shkaktuar nga e keqja e pariparueshme e tij i sjellë një tronditje serioze. Gjendja e tij e dëshpëruar keqësohet nga ky pendim i thellë.

Kur jobesimtari ballafaqohet me veprat që ka bërë në këtë botë, kupton se nuk ka më kurrfarë mundësie të përtërij çfarëdo nderi të jetës së tij. E prapëseprapë ai kërkon një tjetër mundësi. Në këtë gjendje shpirtërore, ai dëshiron t’i kthehet jetës së tij të vjetër për të larë gjynahet e tij. Ndërsa, ai kurrë më nuk dëshiron t’i shoh shokët dhe më të dashurit e tij me të cilët ai gëzoi jetën në mënyrë të shkujdesur. Të gjitha miqësitë, të gjitha lidhjet asgjësohen. Mënyrat e jetës dhe traditat që njerëzit pasuan në jetë, shtëpitë e tyre, veturat, bashkëshortet, fëmijët, kompanitë, ideologjitë që ata mbrojnë e humbin vlerën e tyre dhe zhduken. Fare thjeshtë, ato zëvendësohen me vuajtje. Gjendja shpirtërore e shkaktuar nga llahtari i asaj dite rrëfehet si vijon:

E sikur t'i shihje ata kur janë ndalur pranë zjarrit e thonë: "Ah sikur të ktheheshim (në dynja), të mos gënjejmë faktet e Allahut tonë e të bëhemi nga besimtarët!" Jo, (s'është ashtu) po atyre u doli në shesh ajo që e mbanin fshehtë më parë, prandaj edhe sikur të ktheheshin ata do të përsëritnin atë që e kishin të ndaluar, e s'ka dyshim, ata janë gënjeshtarë. Ata thanë: "Nuk ka tjetër, vetëm kjo jeta jonë në këtë botë, dhe ne nuk do të ringjallemi. Dhe, sikur t'i kishte parë ata kur të ndalohen para Allahut të tyre e u thuhet atyre: "A nuk është kjo (ringjallja) e vërtetë?" Ata thonë: " Po, për Allahun tonë!" thotë: "Shijoni pra dënimin për atë që mohonit!" (Sure En’am: 27-30)

Grindja në mes të banorëve të xhehenemit

Pozita shoqërore dhe raportet hierarkike, të cilat u konsideruan shumë të rëndësishme në këtë botë, e humbin gjithë kuptimin e tyre në xhehenem. Gjendja në të cilën katandisen si popujt ashtu edhe udhëheqësit e tyre është e atillë sa ata mallkojnë njëri tjetrin:

Dhe (sikur të shihnin) kur do të largohen ata që u prinin prej atyre që i ndiqnin (paria largohet prej atyre që u shkuan pas), e të gjithë e shohin dënimin dhe këputen lidhjet e tyre. E Ata, të cilët u patën shkuar pas do të thonë: "Ah, sikur të na lejohej një kthim (në dynja) e të largohemi prej tyre (prijësve) siç u larguan ata tash prej nesh!" Kështu Allahu do t'ju paraqesë veprat që janë dëshpërim për ta, e ata nuk kanë të dalë prej zjarrit. (Sure Bekare: 166-167)

Ditën kur fytyrat e tyre do të përmbysen në zjarr e thonë: "Të mjerët ne, ta kishim adhuruar Allahun e respektuar të dërguarin!" Dhe thonë: "Allahu ynë, ne i dëgjuam udhëheqësit tanë dhe të parët tanë, por ata na shmangën nga rruga e drejtë". Allahu ynë, jepu atyre dënim të dyfishtë dhe mallkoj ata si është më së keqi! (Sure Ahzab: 66-68)

E duke u grindur mes vete në të, ata thonë: “Pasha Allahun, njëmend ne kemi qenë krejtësisht të humbur, Kur juve (idhuj) ju kemi barazuar me Allahun e botëve. Neve nuk na humbi kush tjetër vetëm se kriminelët (prijësit). E tash për ne nuk ka ndonjë ndihmës (ndërmjetësues). Nuk ka as ndonjë mik të sinqertë. E, sikur të mund të kthehemi (në dynja) edhe njëherë, do të bëheshim besimtarë.”

Në këtë (që u përmend) ka argumente bindëse, po shumica e tyre nuk besuan. (Sure Shu’ara: 96-103)

Grindja shtohet në mes të banorëve të xhehenemit që ballafaqohen me vuajtjen e përjetshme. Secili njeri akuzon secilin njeri tjetër. Shokët e ngushtë e urrejnë njëri tjetrin. Burimi kryesor i kësaj urrejtjeje është miqësia që ata aq shumë e deshën në këtë botë. Ata joshën njëri tjetrin për të bërë gjynahe dhe inkurajuan mohimin. Të gjitha konceptet lidhur me miqësinë janë zhdukur përballë zjarrit të xhehenemit dhe të gjitha lidhjet e forcuara në këtë jetë u shkëputën. Në mes të gjithë kësaj tollovie, çdonjëri është vetëm, duke mallkuar gjithë të tjerët:

(Allahu) Ju thotë: "Hyni në Xhehenem me atë popull që ishte para jush nga xhinët dhe njerëzit (e që ishin si ju). Sa herë që një grup hyn në të, e mallkon atë të mëparshmin derisa kur të arrijnë në të i gjithë, grupi i fundit i tyre thotë për grupin e parë: "Allahu ynë, këta (paria) na kanë humbur neve (nga rruga e drejtë), pra shtoju dënimin me zjarr atyre!" (Allahu) Thotë: "Për secilin (grup) është (dënimi) i shtuar, por ju nuk po dini. (Sure A’raf: 38)

Ata që nuk besuan thonë: "O Allahu ynë, na i trego ata të dy nga xhinët dhe njerëzit, të cilët na bënë të jemi të humbur, e t'i shkelim me këmbët tona dhe le të jenë prej më të poshtërve!" (Sure Fussilet: 29)

Dhe (përkujto) kur duke qenë në zjarr, ata grinden në mes vete, e të dobëtit u thonë atyre të mëdhenjve: "Ne kemi qenë ithtarë tuaj (në dynja), a mund të na largoni ndonjë pjesë të dënimit me zjarr?" Ata që kishin qenë pari thonë: "Ne të gjithë jemi në të!" Allahu ka vendosur në mënyrë të prerë në mes njerëzve". (Sure Gafir: 47-48)

Ky është një grumbull që bashkohet me ju (u thonë engjëjt parisë): "Mos paçin komoditet as mirëseardhje (thonë paria)!" Ata janë që do të digjen në zjarr. Ata (të shtypurit) thonë: "Jo, juve mos u qoftë as mirëseardhja, as komoditeti; ju jeni që na e përgatitët këtë!" Sa vendqëndrim i keq është! O Allahu ynë, ata thonë: "Atij që na e bëri këtë, shtoja dyfish dënimin në zjarr!" Dhe thonë: "Ç'është që nuk po i shohim disa burra që ne i konsideronim prej të këqijve. E që i kemi pas marrë ata në tallje, a mos na u ka larguar shikimi prej tyre?" Kjo armiqësi në mes banuesve të zjarrit është e vërtetë. (Sure Sad: 59-64)

Lutjet e dëshpërimit dhe mungesës së shpresës

Banorët e xhehenemit janë në një gjendje të pashpresë. Tortura të cilës i nënshtrohen është jashtëzakonisht e egër dhe e pafund. E vetmja shpresë e tyre është të qajnë dhe të përgjërohen për shpëtim. Ata i shohin banorët e xhenetit dhe i lusin për ujë dhe ushqim. Ata përpiqen të pendohen dhe kërkojnë falje prej Allahut. Mirëpo, të gjitha veprimet e tyre janë të kota. Ata u përgjërohen rojeve të xhehenemit. Ata madje kërkojnë që ata të veprojnë si ndërmjetës midis tyre dhe Allahut dhe kërkojnë mëshirë. Dhimbja është aq e padurueshme sa që ata kërkojnë të jenë të shpëtuar prej saj qoftë edhe vetëm për një ditë të vetme:

Dhe ata, që janë në zjarr, rojës së Xhehenemit i thonë: "Luteni Allahun tuaj të na e lehtësoj dënimin, bile një ditë!" Ata u thonë: "A nuk u patën arritur juve të dërguar tuaj me argumente të qarta? Ata përgjigjen: "Po (na kanë ardhur)!" E pra, (u thotë roja) lutuni ju vetë, po lutja e jobesimtarëve është asgjë!" (Sure Gafir: 49-50)

Jobesimtarët vazhdojnë të kërkojnë falje, por ata refuzohen rreptësishtë:

Ata thonë: "O Allahu ynë, ne na patën mundur të këqijat (u dhamë pas epsheve të dynjasë) dhe si të tillë ishim popull i humbur! Allahu ynë, na nxjerr prej tij, e nëse gabojmë përsëri, atëherë vërtet, jemi mizor!" Ai thotë: "Heshtni aty e mos më folni!" Pse një grup prej robërve të Mi thanë: "O Allahu ynë, ne besuam, prandaj na falë dhe na mëshiro, se Ti je më i miri i mëshiruesve!" E ju i patët tallur ata, sa që ajo tallje bëri që të harronin përkujtimin ndaj Meje, madje edhe qeshnit me ta. E Unë sot i shpërbleva ata për atë që ishin të durueshëm atë janë fitimtarët. (Sure Mu’minun: 106-111)

Ky është në të vërtetë fjalimi i fundit i Allahut për banorët e xhehenemit. Fjalët e tij “Qëndroni këtu të turpëruar dhe mos Mu lutni!” janë përfundimtare. Që nga ai moment, Allahu kurrë nuk i përfill më banorët e xhehenemit. Njeriu as që do të dëshironte të mendoj për këtë gjendje.

Përderisa gjynahqarët digjen në xhehenem, ata që arrijnë “lumturinë dhe shpëtimin” mbesin në xhenet duke iu gëzuar dobisë së mirësive të pafund. Vuajtja e banorëve të xhehenemit bëhet më e fuqishme kur e vërejnë jetën e besimtarëve në xhenet. Me të vërtetë, ndërsa i nënshtrohen mundimit të padurueshëm, ata mund të “shohin” mirësitë e mrekullueshme të xhenetit.
Besimtarët, të cilët jobesimtarët i përqeshën në këtë botë, tani kalojnë një jetë të plotë dhe të lumtur, duke jetuar në vende përrallore, shtëpi madhështore me femra të bukura dhe duke shijuar ushqimin dhe pijet. Pamja e besimtarëve në një gjendje të qetësisë dhe begatisë keqëson edhe më tej keqëson poshtërimin e qenies në xhehenem. Këto skena shkaktojnë dhimbje më të madhe dhe vuajtje pikëllimit të tyre.

Pendimi bëhet gjithnjë e më i thellë. Mosrespektimi i urdhrave të Allahut në këtë botë i bën ata të ndiejnë brejtje të thellë të ndërgjegjes. Ata u drejtohen besimtarëve në xhenet dhe përpiqen të flasin me ta. Ata u përgjërohen për ndihmë dhe keqardhje ata. Megjithatë, këto janë përpjekje të kota. Banorët e xhenetit i shohin ata gjithashtu. Biseda në mes të banorëve të xhehenemit dhe të xhenetit është si vijon:

Që janë në Xhenete e i bëjnë pyetje njëri-tjetrit, Përkitazi me kriminelët (e u thonë): "Çka u solli juve në Sekar?" Ata thonë: "Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bënin namaz); Nuk kemi qenë që ushqenim të varfrit; Dhe kemi qenë që përziheshim me të tjerët në punë të kota. Dhe kemi qenë që nuk e besonim ditën e gjykimit. Derisa na erdhi e vërteta (vdekja)!" E tanimë, atyre nuk u bën dobi ndërmjetësimi i ndërmjetësuesve. (Sure Mudeththir: 40-48)

Ndërkaq, besimtarët dhe hipokritët do të diskutojnë njëri me tjetrin. Hipokritët janë njerëzit që qëndruan me besimtarët për një kohë të caktuar. Përkundër faktit se nuk kanë besim në zemrat e tyre, dhe kryekëput për përfitim personal, ata i kanë zbatuar obligimet e tyre fetare sikur të ishin besimtarë. Kështu, ata kanë fituar emrin e “hipokritit”. Në zjarrin e xhehenemit, ata u përgjërohen besimtarëve t’u ndihmojnë. Dialogu në mes këtyre dy grupeve në Kuran transmetohet si vijon:

Ditën kur hipokritët dhe hipokritet atyre që besuan u thonë: "Na pritni (ose na shikoni) të ndriçohemi prej dritës suaj!" U thuhet: "Kthehuni prapa jush (në dynja) e kërkoni ndonjë dritë!" Atëherë vihet ndërmjet tyre njëfarë muri që ka një derë, e brendia e tij është mëshirë (Xheneti), e ana e jashtme e tij është dënimi (zjarri). (Hipokritët e mbetur në errësirë) I thërrasin ata (besimtarët): "A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!? (Besimtarët përgjigjen): "Po, por ju e shkatërruat veten (me hipokrizi), ju prisnit kob të zi për besimtarët, ju dyshonit në çështjet e fesë dhe ju mashtruan shpresat e kota deri kur ju erdhi caktimi i Allahut (vdekja) dhe ashtu, përkitazi me Allahun, mashtruesi ju mashtroi. E sot, prej jush nuk pranohet ndonjë kompensim e as prej atyre që nuk besuan, vendi juaj është zjarri, ai është ndihma juaj: sa përfundim i keq është ai". (Sure Hadid: 13-15) 

Një vuajtje e përjetshme pa asnjë shpëtim

Përveç të gjitha karakteristikave të xhehenemit që i kemi përmendur deri tani, ekziston një aspekt tjetër i tij i cili i shton fuqinë vuajtjes së përjetuar: ai është i përjetshëm. Në këtë botë, fakti se madje edhe dhimbja më e thekshme zvogëlohet me kohë e ngushëllon njeriun. Fundi i çdo dhimbje është lumturi dhe madje pritja e kësaj lumturie jap shpresë.

Mirëpo, nuk ekziston një shpresë e tillë në xhehenem dhe kjo është ajo që tronditë banorët e xhehenemit më së shumti. Kur ata të hidhen në zjarr, të pranguar, të djegur, të fshikulluar dhe të ngujuar në vende të ngushta, me duart e tyre të lidhura për qafë, ata e dinë se kjo do të zgjatë përjetësisht. Përpjekjet e tyre për të ikur s’mund të kenë sukses kurrë. Kjo tregon se vuajtja e tyre do të zgjatë përgjithmonë. Ankthi që ndiejnë ata shpjegohet si vijon:

Sa herë që përpiqen të dalin prej tij nga vuajtjet e padurueshme, kthehen me dhunë në të përsëri (u thuhet): "Vuani dënimin me djegie!" (Sure Haxhxh: 22)

Xhehenemi është një vend tërësisht i izoluar. Jobesimtarët hyjnë në të dhe kurrë më nuk dalin. Nuk ka rrugëdalje prej xhehenemit. Ndjenja e izolimit rrethon jobesimtarët. Ata janë të rrethuar me mure dhe dyer të mbyllura. Kjo ndjenjë e hidhur e mbylljes përshkruhet në Kuran si vijon:

Ndërsa ata që nuk i besuan argumentet Tona, ata janë të së majtës. Kundër tyre është zjarri i mbyllur. (Sure Beled: 19-20)

E ti thuaj: "E vërteta është nga Allahu juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai". (Sure Kehf: 29)

Të tillët (që ndjekin djallin) kanë vendin në Xhehenem dhe prej tij nuk kanë të ikur (shpëtim). (Sure Nisa’: 121)

Kur jobesimtarët shohin zjarrin, ata bëhen plotësisht të vetëdijshëm se ku e kanë vendin. Ata e kuptojnë me të vërtetë se nuk ka asnjë mundësi çfarëdo qoftë ajo të shpëtojnë nga zjarri. Në këtë fazë, koncepti i kohës humb kuptimin dhe fillon një vuajtje e përjetshme. Natyra e pareshtur e dhimbjes është ana më e keqe e saj. Madje edhe nëse kalojnë një qind vjet, një mijë vjet apo me miliona vite, njeriu kurrë nuk i afrohet fundit. Miliona vite nuk janë asgjë krahasuar me përjetësinë. Jobesimtari që banon në xhehenem pret një fund, e megjithatë, pa dobi. Kjo është arsyeja pse theksohet natyra e përjetshme e xhehenemit:

Hipokritëve dhe hipokriteve dhe jobesimtarëve Allahu u ka përcaktuar zjarrin e xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë, ai mjafton për ta, dhe ata i ka mallkuar Allahu. Ata kanë dënim të pandërprerë. (Sure Teube: 68)

Sikur të kishin qenë ata Allaha, ata nuk do të hynin në të, po që të gjithë do të jenë aty përgjithmonë. (Sure Enbija: 99)

Po për ata që nuk besuan është zjarri i Xhehenemit. Ata as nuk gjykohen që të vdesin (të rehatohen) e as nuk u lehtësohet ndëshkimi. Kështu e ndëshkojmë secilin që është shumë i pabesim. (Sure Fatir: 36)

Gjithë dhimbjes në këtë botë i vjen fundi. Gjithmonë ekziston shpëtimi. Njeriu i cili ndien dhimbje ose vdes ose dhimbja e tij lehtësohet. Mirëpo, në xhehenem, dhimbja është e vazhdueshme dhe e pareshtur, duke mos ofruar kurrfarë lehtësimi madje as edhe për një moment të vetëm.

Një vërejtje e rëndësishme për t’iu shmangur vuajtjes

Gjatë gjithë këtij libri, është vënë në pah se ata të cilët nuk i refuzojnë urdhrat e Allahut në këtë dynja dhe e mohojnë ekzistencën e Krijuesit të tyre nuk do të kenë shpëtim në ahiret dhe do të përballen me një vuajtje të llahtarshme në xhehenem.

Prandaj, pa humbur kohë, secili duhet të kuptoj gjendjen e tij në praninë e Allahut dhe t’i nënshtrohet Atij. Përndryshe, ai do të pendohet dhe do të përballet me një fund të frikshëm:

Ata që nuk besuan shpeshherë do të kishin dëshiruar të kishin qenë myslimanë. Lëri (Muhammed) ata, të hanë, të dëfrehen dhe t'i preokupojë shpresa (se do të jetojnë shumë), e më vonë do të kuptojnë. (Sure Hixhr: 2-3)

Rruga për t’iu shmangur ndëshkimit të përjetshëm, për të fituar lumturinë e përjetshme dhe kënaqësinë e Allahut është e qartë.

Para se të jetë tepër vonë, keni besim të sinqertë në Allahun. Kaloni jetën tuaj duke bërë vepra të mira për ta fituar kënaqësinë e Tij…

(Engjëjt) Thanë: "ti je i pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti. Vërtetë, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti!"
(Sure Bekare: 32)

   
    
Rreth kësaj faqeje | Bëni faqen tuaj | Shtoje në të preferuarat | RSS Feed
Të gjitha materialet mund të kopjohen, shtypen, prezentohen dhe shpërndahen duke iu referuar kësaj faqeje.
(c) All publication rights of the personal photos of Mr. Adnan Oktar that are present in our website and in all other Harun Yahya works belong to Global Publication Ltd. Co. They cannot be used or published without prior consent even if used partially.
page_top