24 ORË NGA JETA E MUSLIMANIT

Shkarko Librin

Download (DOC)
Lexoni Online
Download (PDF)
Komentet

Kapitujt e librit

< <
2 / total: 9
24 ORË NGA JETA E  MUSLIMANIT


 

Kapitulli 1

24 ORË NË JETËN E MUSLIMANIT
SIPAS MËSIMEVE TË KUR’ANIT

Zgjimi në mëngjes

Një nga ndryshimet thelbësore midis atyre që jetojnë sipas urdhërave të Kur’anit dhe njerëzve të tjerë, të cilët e refuzojnë Allahun është ky: mençuria që Allahu u jep atyre që përdorin ndërgjegjen dhe qëndrojnë të përulur prej madhështisë së Allahut. (Për një shtjellim më të gjerë shih: Mençuria e Vërtetë e Përshkruar në Kur’an, Harun Jahja) Për shkak të mençurisë së tyre, besimtarët bëhen menjëherë të vetëdijshëm për shkaqet që fshihen prapa ngjarjeve, të cilat, pabesimtarët dhe ata të cilët janë të paaftë ta kuptojnë të vërtetën, i trajtojnë si të pakuptimta.

Që nga çasti që besimtari ngrihet në mëngjes, e di se në çdo përvojë që përjeton gjatë ditës ngërthen në vetvete një “shenjë”, (siç i quan Allahu në Kur’an, ajet = shenjë). Fjala “shenjë” u vishet atyre ngjarjeve që janë prova të qarta të ekzistencës, njëshmërisë dhe cilësive të Allahut. Gjithashtu, ajo është fjala që përdoret për vargjet e Kur’anit. Një ide tjetër e ngjashme në kuptim është “faktet që të çojnë drejt besimit.” Kjo mund të përkufizohet për ato fakte që e sjellin një njeri drejt besimit dhe, në të njëjtën kohë, bëjnë që besimi tij të rritet, të zhvillohet dhe të forcohet. Por, vetëm ata që i kthehen sinqerisht Allahut mund t’i njohin këto “shenja” dhe fakte që të shpien drejt besimit. Vargu i 190-të i Sures Ali Imran është një shembull për këtë:

Në krijimin e qiejve dhe të tokës, në ndërrimin e ditës dhe të natës, ka Shenja për njerëzit inteligjentë. (Sure Ali 'Imran: 190)

Për ata që kanë besim dhe jetojnë duke ndjekur këshillat e Kur’anit, çdo ditë e re është plot me prova të ekzistencës së Allahut dhe fakte që të orientojnë drejt besimit. Për shembull, hapja e syve dhe fillimi i ditës është një nga mirësitë që Allahu i ka dhënë njerëzimit dhe një nga faktet mbi të cilat ne duhet të mendojmë pak më thellë. Kjo, për faktin se njeriu është i pavetëdijshëm gjatë gjithë natës dhe gjithçka mund të mbajë mend janë disa ëndrra të paqarta të cilat zgjasin veç 3-5 sekonda. Gjatë kësaj kohe, njeriu është në gjumë dhe nuk ka asnjë lidhje me këtë botë. Shpirti i tij dhe trupi ndahen nga njëri – tjetri dhe kjo kohë për të cilën njeriu mendon se e kalon në gjumë është në të vërtetë një lloj vdekjeje. Allahu na shpall në Kur’an se shpirtrat e njerëzve merren gjatë kohës që ata janë në gjumë.

Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë. Pastaj, Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. . . (Sure Zumer: 42)

Ai ua merr shpirtrat (ju vë në gjumë) natën duke e ditur ç’keni punuar ditën, pastaj ju zgjon që të plotësoni kohën tuaj të caktuar për të jetuar. (Sure En'am: 60)

Në këto vargje, Allahu thotë se shpirtrat e njerëzve merren gjatë gjumit, por kthehen përsëri deri sa të vijë ora e përcaktuar e vdekjes. Kur ndodhet në gjumë, njeriu e humb pjesërisht ndërgjegjjen për botën e jashtme. Të zgjohesh nga “vdekja” e gjumit dhe të bëhesh i vetëdijshëm dhe kështu me rradhë sot si dje, dhe të jesh i aftë të shohësh, të dëgjosh dhe të ndihesh përsosmërisht mirë është një mrekulli për të cilën duhet të mendojmë thellë. Një njeri që shkon për të fjetur në mbrëmje nuk ka se si të jetë i sigurt që këto bekime të pakrahasueshme do t’i jepen sërish në mëngjes. Dhe nuk mund të jemi të sigurt nëse do të hasim ndonjë fatkeqësi apo do të ngrihemi të shëndetshëm.

Besimtari kur e nis ditën, mendon për këto fakte dhe falenderon Allahun që e ka mbuluar atë me mëshirën dhe mbrojtjen e Tij. Ai e sheh ditën si një mundësi të dhënë nga Allahu për të fituar kënaqësinë e Tij dhe Parajsën. Sapo hap sytë herët në agim, ai i drejton mendimet e tij tek Allahu dhe e fillon ditën me një falje të sinqertë, faljen e agimit.

Gjatë ditës, ai vepron dhe sillet duke patur parasysh se Allahu gjithmonë e vështron dhe e dëgjon dhe është i kujdesshëm për të fituar kënqësinë e Tij duke iu bindur urdhërave dhe këshillave të Tij. Ai tashmë ka vendosur një lidhje të fortë me Allahun dhe e ka filluar ditën me faljen e agimit. Në këtë mënyrë, ka pak të ngjarë që të harrojë të fitojë kënaqësinë e Allahut gjatë ditës apo të mos i’u bindet urdhrave të Tiij. Ai do të sillet gjatë ditës duke patur parasysh faktin që Allahu e ka vënë në provë në jetën e kësaj bote.

Çdokush që i drejton sinqerisht mendimet e tij drejt Allahut do të ndihmohet të vërejë me kujdes mirësitë që i janë dhuruar dhe se, askush tjetër veç Allahut nuk ka fuqi t’ia japë. Në Kur’an, Zoti ynë thotë se njerëzit duhet të mendojnë mbi këto çështje:

Thuaj: "Si mendoni? Nëse Allahu do t’ua merrte të dëgjuarit dhe të parit dhe do të vuloste zemrat tuaja, cili zot përveç Allahut do t’ua kthente sërish ato?" (Sure En'am: 46)

Sigurisht që është Allahu i Plotfuqishëm dhe i Gjithëditur, Ai, i cili e bën gjumin kohë pushimi për njerëzit dhe ua kthen atyre sërish mirësitë në mëngjes. Ata që e dinë këtë fakt, e ndiejnë afërsinë e Allahut që nga momenti që fillojnë ditën dhe janë të kënaqur me mirësitë e pakrahasueshme që gëzojnë.

Ata që nuk e ndjekin fenë dhe refuzojnë të mendojnë mbi këtë realitet nuk mund të jenë krejtësisht të vetëdijshëm për mirësitë që bartin dhe nuk mund ta njohin dhe provojnë gëzimin që përjetojnë besimtarët. Përgjithësisht, për ta është shumë e vështirë të ngrihesh nga një shtrat i ngrohtë ndaj ndihen të shqetësuar që do t’iu duhet të përballen me ditën e re që po lind. Disa janë në ankth dhe të mërzitur për shkak të rutinës së përditshme. Nuk duan të ngrihen nga shtrati; në mendjet e tyre bëhet luftë, të ngrihen apo të flenë edhe një minutë më tepër. Një dështim moral i hasur shpesh tek këta njerëz është se, kur ngrihen janë të inatosur, të shqetësuar dhe të ngrysur.

Ata që nuk e besojnë Allahun nuk mund të shijojnë kënaqësinë e mirësive të Tij. Qysh nga momenti kur ngrihen në mëngjes ata i rikthehen monotonisë duke bërë çdo ditë të njëjtat gjëra.

Ndërsa, një lloj tjetër njerëzish, që nuk janë të vetëdijshëm se dita e re mund të jetë mundësia e fundit që u ka falur Allahu, përgatiten vrulltazi për të nisur ditën, për të fituar më shumë para, për t’iu mburrur të tjerëve me pasurinë apo paraqitjen e tyre, për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve dhe për të qenë të pëlqyer nga ta.

Ata që i anashkalojnë shenjat që ka shpallur Allahu në Kur’an, mund ta nisin ditën në mënyra nga më të ndryshmet, por, mes tyre shihet një mungesë e përgjithshme mençurie që përkapet në mënyrën si sillen: atyre nuk u bie ndër mend se është Allahu, Ai që i ka krijuar, se kanë përgjegjësi për t’iu bindur Atij dhe për të fituar kënaqësinë e Tij dhe as mendojnë se dita e re që u rri në prag mund të jetë mundësia e fundit në përmbushjen e detyrës që kanë përpara Allahut.

Allahu na tregon për gjendjen e tyre me këto fjalë:

Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta). (Sure Enbija: 1)

Është e qartë se, ata që jetojnë të zhytur në këtë humbje janë duke bërë një gabim të madh. Njeriu nuk duhet të harrojë se, çdo mëngjes mund të jetë fillimi i ditës së fundit të caktuar për të në jetën e kësaj bote. Vdekja mund të vijë në çdo çast, për shkak të një aksidenti me makinë, një sëmundjeje të paparashikueshme apo nga çfarëdolloj shkaku tjetër.

Për këtë arsye, ne duhet t’i japim kuptim ditës së re duke e çmuar si një mundësi më shumë për të fituar kënaqësinë e Allahut.

Pastrimi

Për ndryshimet që ndodhin në trupin tuaj kur ngriheni në mëngjes, ka disa arsye. Fytyrat tuaja janë paksa të enjtura, flokët janë të pakrehura, trupi ka një aromë të pakëndshme dhe goja ka një shije të padëshirueshme. Fytyra e enjtur që shihni në pasqyrë dhe pamja e parregullt dëshmojnë varësinë tuaj. Çdo njeri duhet të lajë fytyrën në mëngjes, të lajë dhëmbët dhe të pastrohet. Ky fakt e përkujton atë që është i lidhur me mësimet e Kur’anit se ai nuk është aspak ndryshe nga njerëzit e tjerë dhe se, vetëm Allahu është Ai që nuk ka asnjë të metë.

Për më tepër, kur dikush, që i kthehet Allahut sinqerisht, shihet në pasqyrë dhe nuk ndihet mirë me atë që sheh, e kupton më mirë se kushdo se nuk ka në dorë asgjë nga bukuria e tij sado ta dëshirojë atë.

Siç shihet, Allahu ka krijuar tek robërit e Tij disa të meta në mënyrë që t’i përkujtojë për varësinë e tyre ndaj Tij. Fakti që trupi dhe ambienti bëhen pis me kalimin e kohës është një shembull që e dëshmon këtë. Por, Allahu ua ka treguar njerëzve se si mund t’i shmangin ato dhe ka bërë të mundur mirësi të tilla si sapuni dhe detergjentët në mënyrë që ne t’i përdorim. Ai na e tregon këtë në Kur’an:

Vërtet pas vështirësisë vjen lehtësia; Vërtet pas vështirësisë vjen lehtësia. (Sure Inshirah: 5-6)

Por, aftësia për të dalluar këtë sekret të krijimit, të mirësive dhe për të falenderuar Allahun u përket vetëm besimtarëve të pajisur me mençuri.

Kur besimtari pastrohet në mëngjes apo gjatë ditës, e falenderon Allahun që i ka vënë në përdorim të gjitha gjërat për ta kryer këtë. Ai e di se Allahu e do pastërtinë dhe ata që janë të pastër; ndaj e sheh pastrimin si një vepër adhurimi dhe për këtë shpreson të fitojë shpërblimin e Allahut. Ai i bindet me zell asaj që ka urdhëruar Allahu në vargjet 4 dhe 5 të Sures Muddeththir:

Petkat e tua pastroji dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve). (Sure Muddeththir: 4-5)

Në vargun e mëposhtëm të shpallur me rastin e betejës së Bedrit, Allahu thotë se Ai dërgon ujë nga qielli për njerëzit në mënyrë që ata të pastrohen dhe të plotësojnë nevojat e tyre.

Ai bëri që ju të koteni në gjumë të lehtë si shenjë sigurie nga ana e Tij dhe lëshoi nga qielli shi, për t’ju pastruar nëpërmjet tij, për të larguar nga ju ndyrësinë e djallit dhe për t’i forcuar zemrat tuaja dhe këmbët. (Sure Enfal: 11)

Uji është elementi bazë për njerëzit për pastrimin e trupit, të ambientit dhe të shtëpisë. Përveç se pastron papastërtinë e dukshme dhe ndotjen bakteriale të padukshme, uji ka gjithashtu vetinë për të na shlodhur. Kur uji rrjedh nëpër trup shpërndan energjinë elektrike statike, e cila i bën njerëzit të ndihen të lodhur dhe të plogësht. Ne nuk mund ta shohim elektricitetin statik të prodhuar në trupin tonë, por, ai ndonjëherë vihet re kur zhveshim pulovrat dhe ndjejmë një farë korrenti dhe një kërcitje të lehtë, kur prekim diçka apo mund të vihet re nga lëvizjet e flokëve. Kur lahemi, ne largojmë gjithë këtë grumbullim të elektricitetit statik dhe trupi ynë ndihet i lehtë dhe i shlodhur. Edhe freskia e ajrit pas shiut vjen gjithashtu nga fakti se uji i tij ka pastruar ajrin nga elektriciteti statik.

Allahu kënaqet me njerëzit që qëndrojnë të pastër dhe të rregullt. Kjo mund të shihet në disa vargje në Kur’an që bëjnë fjalë për pastërtinë fizike të njerëzve në Parajsë.

Allahu thotë se: "… atje ka të rinj si perla të fshehura." (Sure Tur: 24), dhe në vargjet e tjera Allahu thotë se atje ka "gra të pastra" për njerëzit në Parajsë. (Sure Bekare: 25; Sure Ali Imran: 15; Sure Nisa: 57)

Disa njerëz i kushtojnë vëmendje pastrimit të tyre vetëm kur ndodhen në praninë e të tjerëve apo kur duan të ndihen të pëlqyer; ata nuk kujdesen për pastërtinë e tyre kur janë vetëm. Ta shohësh normale sorollatjen nëpër shtëpi deri në mbrëmje me fytyrë të palarë, me një erë të pakëndshme në gojë, i papastër, me shtratin ende të parregulluar dhe dhomën rrëmujë, buron nga një arsyetim i gabuar.

Sidoqoftë, Allahu i nxit Muslimanët të mbajnë një ambient të mirë dhe të pastër për veten e tyre dhe urdhëron çdokënd që të mbajë pastërti në gjithçka, që nga ushqimi dhe veshja deri tek vendi ku jetojnë.

O ju njerëz! Ushqehuni me të gjitha ato gjëra të lejuara e të mira që gjenden në Tokë... (Sure Bekare: 168)

Të pyesin ty se ç’është e lejueshme që të hanë. Thuaju: "Ju lejohet juve çdo gjë që është e dëlirë …" (Sure Maide: 4)

… (Profeti) i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon nga ato të pakëndshmet …(Sure A’raf: 157)

Kujtoni kur e bëmë Qaben vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimi si vend-faljeje!” Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: “Pastrojeni Shtëpinë Time për ata që rrethrrotullohen rreth saj, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty duke u përkulur dhe përulur.” (Sure Bekare: 125)

Kështu pra, Ne i zgjuam që të pyesin njëri-tjetrin. Njëri nga ata tha: “Sa keni ndenjur (në gjumë?)” –U përgjigjën: “Kemi qëndruar një ditë a një pjesë të ditës.” Disa thanë: “Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndenjur. Dërgoni njërin prej jush në qytet me këtë monedhë argjendi dhe le të shikojë se cili ushqim është më i pastër dhe t’ua sjellë juve për të ngrënë.” (Sure Kehf: 19)

Butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai (Jahja) ishte besimtar i përkushtuar dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm. (Sure Merjem: 13-14)

Stili i jetës së njerëzve të paditur i bën ata që të krijojnë me duart e tyre një ambient të pashëndetshëm dhe të parehatshëm, ndërsa Muslimanët që përmbushin mësimet e Kur’anit bëjnë një jetë të mirë në këtë botë. Njerëzit e paditur mbajnë ambiente që janë shqetësuese edhe për veten e tyre, por edhe për të tjerët përreth, ndërsa Muslimanët jetojnë në vende të shëndetshme dhe frymëzuese ku secili mund të gjejë rehat dhe paqe shpirtërore.

Përmbledhtazi, themi se me mësimet e Kur’anit besimtarët janë të këshilluar ta mbajnë veten pastër jo sa për sy e faqe, por, sepse kështu dëshiron Allahu dhe sepse natyrshëm kjo është ajo që sjell më shumë rehat. Kur e pastrojnë vendin ku jetojnë, ata ndjejnë një kënaqësi të madhe, sepse krijohet një ambient ku ndihen mirë; për besimtarët mbajtja e pastërtisë nuk mbetet çështje zgjedhjeje – ata bashkëjetojnë me vetëdijen e pastërtisë.

Veshja

Kur një besimtar vendos se çfarë rrobash duhet të veshë gjatë ditës dhe vishet, është i vetëdijshëm për një të vërtetë të rëndësishme: veshjet janë një nga mirësitë e panumërueshme të Allahut dhe se ka një arsye thelbësore për ekzistencën e tyre. Çdokush mund të përfitojë nga kjo mirësi, por, vetëm muslimani që zbaton këshillat e Kur’anit mendon se veshja e bukur është mëshirë prej Allahut dhe e falenderon Atë për të.

Veshja e përkujton besimtarin se gjallesat janë burim i leshit, pambukut dhe mëndafshit. Artikujt e veshjes që përdorim thuajse çdo moment të jetës sonë, përftohen nga bimët dhe kafshët, të cilët janë një mrekulli e krijimit. Me fjalë të tjera, nëse Allahu nuk do të kishte krijuar disa gjallesa me aftësinë për t’i furnizuar njerëzit me lëndë të para për prodhimin e veshjeve, nga ato më të domosdoshmet e deri tek ato luksozet, këto veshje nuk do të ekzistonin.

Megjithëse disa njerëz e dinë këtë, përsëri nuk e vënë re dhe nuk e vlerësojnë mirësinë që kanë në dorë, sepse atyre u është kthyer veshja në një zakon që prej momentit kur kanë lindur. Ky zakon i pengon ata të kuptojnë se ky është një bekim dhe, rrjedhimisht, i pengon të jenë falenderues. Një nga arsyet pse Allahu krijoi mirësi të panumërta në këtë botë është që ne ta falenderojmë Atë. Le të shohim bashkë arsyet pse Allahu e krijoi veshjen për ne, duke filluar që nga dobitë që kemi prej tyre.

Veshja shërben si një mburojë që e mbron trupin nga të ftohtët, nga rrezet e dëmshme të diellit dhe nga rreziqet më të vogla si prerjet dhe dëmtimet që mund të vijnë nga ambienti që na rrethon. Nëse nuk do të kishim veshje, lëkura e hollë që rrethon trupin do të dëmtohej nga këto ngacmime. Ato janë të dhimshme, kërcënim për shëndetin dhe lëkura do të merrte një pamje me të vërtetë të shëmtuar.

Zoti ynë na shpall në Kur’an edhe një arsye tjetër të krijimit të veshjeve mbrojtëse:

O ju bijtë e Ademit! Ne ju kemi zbritur veshje për të mbuluar pjesët tuaja intime dhe petk zbukurues. (Sure A'raf: 26)

Ashtu siç na tregon edhe ky varg, veshja u jep njerëzve një pamje shumë më të mirë estetike.

Është e qartë se ajo është një nevojë jetike dhe një mirësi tejet e rëndësishme që Allahu ka krijuar dhe na i ka vënë në përdorim. Besimtari që është i vetëdijshëm për këtë tregohet shumë i kujdesshëm dhe i matur në përdorimin e rrobave, dhe kjo shfaq mirënjohjen e tij ndaj Allahut për mirësinë që i është dhuruar.

Një cilësi tjetër që i është falur besimtarit nga vlerat e Kur’anit është maturia në shpenzimin e parave dhe kjo gjen vend edhe tek harxhimi për rrobat që vesh. Ai blen ato artikuj që ka nevojë, që i shkojnë dhe janë të arsyeshme. Ai nuk hedh para të tepërta në shpenzime të panevojshme. Vargu që vjen më poshtë e tregon qartë këtë fakt:

Edhe ata që, kur shpenzojnë nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes. (Sure Furkan: 67)

Por, kujdesi me të cilin vishet një person që jeton me vargjet e Kur’anit, nuk mbaron këtu. Për shembull, përveç se duhet të përdorë veshje të pastra, besimtari që ka ndjenjshmëri mbi vlerat, do të kujdeset të vishet duke iu përshtatur sa më mirë çdo rasti. Ashtu siç tregon edhe Kur’ani, veshja është një kënaqësi për syrin. (Sure A'raf: 26). Ka mjaft shembuj se si vishej Profeti ynë, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe këshillat e tij në lidhje me këtë çështje në hadithet që janë transmetuar deri tek ne:

“Hani çfarë të doni dhe pini çfarë të doni, me kusht që të mos kenë dy gjëra: ekstravagancën dhe lavdinë.” (Meulana Muhamed Mensur Nu'mani, Ma'ariful Hadith)

Ja tek është një hadith tjetër, i cili na mëson se si vishej Profeti, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të:

Sa herë që vinte një delegacion për të takuar të Dërguarin e Allahut, ai vishte rrobat e tij më të mira dhe i urdhëronte edhe sahabët të vepronin po kështu.” (Tabakat Hadith, Volumi 4, Numër 346)

Kur ndonjëri nga sahabët nuk i kushtonte rëndësi pamjes së jashtme dhe dukej i çrregullt, Profeti ynë, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, e këshillonte atë menjëherë. Tek ne ka erdhur edhe një shembull për këtë:

"I Dërguari i Allahut ishte në xhami, kur hyri një njeri me flokë të pakrehura dhe mjekër të shpupurisur. Profeti (s.a.v.s.) ia vuri në dukje këtë dhe ai u largua, u rregullua dhe erdhi sërish. Atëherë Profeti (s.a.v.s.) tha: “A nuk është më mirë kështu se sa të vijë ndonjëri nga ju me flokë të pakrehura?” (Muuatta, Imam Malik, Volumi 2, Numër 949)

Në Kur’an, Allahu thotë se rrobat dhe zbukurimet do të jenë nga mirësitë më të mëdha të Parajsës. Disa nga ato janë përmendur në vargjet në vazhdim:

E, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu i vendos në kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj, aty stolisen me rrathë të artë e me xhevahirë e petkat e tyre janë të mëndafshta. (Sure Haxh: 23)

Veshin petka nga mëndafshi e kadifeja ulur ballë për ballë. (Sure Duhan: 53)

Kanë të veshura petka mëndafshi të hollë e të gjelbër dhe mëndafsh të trashë, janë të stolisur me byzylykë të argjendtë... (Sure Insan: 21)

Në këto vargje, Zoti ynë flet për petka të mëndafshta dhe zbukurime prej ari, argjendi dhe perla. Bizhuteritë që kemi ne në këtë botë janë të ngjashme me ato të Parajsës dhe kur besimtari i sheh ato, qofshin të tijat ose jo, mediton mbi Parajsën dhe i shtohet edhe më tepër dëshira për të shkuar atje. Besimtari e sheh qëllimin e krijimit të këtyre gjërave dhe e kupton se të gjitha mirësitë e kësaj bote janë kalimtare. Të vetmet mirësi të vërteta janë ato që do të zgjasin përjetësisht në Botën Tjetër.

Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve. Pikërisht atyre u përket Xhenneti i Adnit, nëpër të cilin rrjedhin lumenj. Ata do të stolisen atje me byzylykë të artë dhe do të vishen me rroba të gjelbërta prej mëndafshi të hollë e të trashë, duke ndenjur të mbështetur në shtretër në shtretër të lartë. Sa shpërblim i mrekullueshëm dhe sa vendbanim i bukur! (Sure Kehf: 30-31)

Një nga gjërat që duhet të ketë parasysh një njeri që ndjek dritën e Kur’anit dhe të Sunnetit, përsa i përket veshjes është se, pamja e jashtme është shumë e rëndësishme në vendosjen e marrëdhënieve me të tjerët. Për këtë arsye, besimtari duhet t’i kushtojë asaj kujdes të madh kur fton njerëz në pranimin e Islamit. Ai do të përpiqet të veshë rroba të pastra, të thjeshta dhe që i përshtaten. Kjo tregon vëmendjen e tij për të zbatuar urdhërat e Allahut dhe për të respektuar njerëzit e tjerë.

Vetëm ata të cilët udhëzohen nga Fjala e Allahut, janë të ndjeshëm ndaj gjendjes së brendshme të dikujt, të cilit i tregojnë për shpëtimin e përjetshëm, po aq edhe të përgjegjshëm, duke u kujdesur imët edhe për atë që kanë veshur.

Si përfundim, mund të themi se, një njeri i cili merr si shembull Profetin tonë, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, del gjithmonë i pastër, i rregullt dhe me rroba të mira. Ai apo ajo ndjen kënaqësi nga kjo dhe shpreson të fitojë shpërblimin e Allahut prej saj.

Ngrënia e mëngjesit

Çdo besimtar, të cilit Allahu i ka dhënë aftësinë për të menduar dhe për të kuptuar, kur shkon në kuzhinë për të ngrënë mëngjes, e di se të gjitha mirësitë në ushqime dhe pije janë shenja që të çojnë drejt besimit.

Për shembull, zjarri që përdor për të gatuar mund t’i shkaktojë shumë dëm atij, po ashtu edhe sendeve të tjera sepse ai ka aftësinë për të shkatërruar. Por, nxehtësia është një domosdoshmëri për ta bërë ushqimin të ngrënshëm dhe nga kjo pikëpamje është një mirësi e madhe. Me fjalë të tjera, si çdo gjë në tokë edhe zjarri është vendosur në shërbim të njeriut. Në Kur’an, Allahu thotë:

Dhe për ju nënshtroi gjithçka ka në qiej dhe në tokë. (Sure Xhathije: 13)

Përveç kësaj, zjarri në këtë botë, është një përkujtues për besimtarin, i cili i sjell ndër mend vuajtjet në Ferr. Kur përshkruan në Kur’an ata që do të shkojnë në të, Allahu na përkujton për një zjarr të fortë. Në disa vargje, Ai jep tablonë e dhimbjeve në zjarrin e krijuar për ata që e mohojnë Atë.

Atë Ditë ata do të përcëllohen në Zjarr. (Sure Dharijat: 13)

Zjarri do t’ua djegë fytyrat dhe buzët (aq sa do t’u duken dhëmbët). (Sure Mu’minun: 104)

Kush nuk beson në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, le ta dijë se Ne për mohuesit kemi përgatitur një Zjarr flakërues. (Sure Fet’h: 13)

Kur sjellin ndër mend besimtarët me besim të fortë për këtë Zjarr të tërbuar të Ferrit, iu rritet frika ndaj Allahut, i luten Atij dhe kërkojnë mbrojtje me ndihmën e Tij. Në këtë mënyrë, edhe gjërat e parëndësishme të përditshme shërbejnë si përkujtues për gjëra të tjera më të mëdha dhe kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e praktikës së besimtarit.

Një njeri, i cili mendon sinqerisht dhe pa paragjykim për ushqimin që ha, do të gjejë shumë përkujtues në të. Shija dhe aroma e bukës, mjaltit, djathit, domateve, çajit, apo lëngut të frutave, vlera e tyre ushqyese dhe ngjyrat e tyre të bukura dhe të shumëllojshme janë të gjitha mirësi prej Allahut. Ato na ushqejnë me proteina, aminoacide, karbohidrate, yndyrna, minerale dhe lëngje, për të cilat ka aq shumë nevojë trupi ynë. Për të bërë një jetë të shëndetshme, ne duhet të ushqehemi rregullisht dhe në mënyrën e duhur, por, kjo nuk është një punë e vështirë për ne; është diçka që ne e bëjmë me kënaqësi. Frutat, perimet, drithërat dhe brumërat plotësojnë të gjitha nevojat e njeriut për ushqim dhe, po ashtu, i japin atij shumë kënaqësi.

Gjithçka kemi përmendur deri këtu, janë me të vërtetë sende të vogla që çdokush i njeh mirë dhe jeton me to përgjatë 24 orëve, qysh se ka lindur. Megjithatë, shumica e njerëzve nuk i marrin parasysh siç duhet ato që Zoti ynë na ka dhënë për përdorim të përditshëm. Ata i marrin ato si të mirëqëna dhe nuk e kuptojnë se sa të vlefshme janë ato.

Gjithë këto ushqime dhe pije të shijshme kanë vetinë për t’i dhënë shumë dobi trupit tonë dhe secila nga këto është një mrekulli e krijimit. Për shembull, një bletë që peshon vetëm disa gram, prodhon mjaltë. Për vitaminat dhe mineralet që përmban dhe cilësitë e përbërjes, mjatë do të thotë shëndet dhe shërim për njerëzit. Në Kur’an, Allahu thotë se Ai e ka frymëzuar këtë cilësi të mjaltit dhe punën e bletës:

Zoti yt e frymëzoi bletën, (duke thënë): “Ndërto shtëpi në male dhe në drurë dhe në atë (kosheret) që kanë ngritur njerëzit! Ushqehu me gjithfarë lloje frutash dhe ec rrugës së Zotit tënd pëulshëm!” Nga barku i tyre del lëng, ngjyrash të ndryshme, në të cilin ka ilaç e shërim për njerëzit. Vërtet që kjo është shenjë për ata që përsiatin. (Sure Nahl: 68-69)

Besimtari, i cili vëren prodhimin e mjaltit, bëhet i vetëdijshëm për mrekullinë e krijimit që ai përmban. Ai përkujton se as lulëzmi i frutave të pemëve, që është materiali bazë për prodhimin e mjaltit, nektari i të cilit kthehet në mjaltë, dhe as vetë mjalti i mrekullueshëm nuk mund të prodhohen rastësisht. Të kuptuarit e gjithë kësaj e afron atë edhe më tepër me Allahun.

Po ashtu, edhe bindja absolute e një blete të vogël ndaj Zotit tonë është edhe një e vërtetë tjetër që të orienton drejt besimit. Besimtari e kupton se, vetëm nëpërmjet frymëzimit të Allahut, bleta, e cila nuk ka as zgjuarsi dhe as vetëdije, në mënyrën që ne i kuptojmë ato, punon pa pushim dhe me një disiplinë të përsosur për të përmbushur detyrat e saj të mrekullueshme.

Rëndësia e mishit, qumështit, djathit, dhe produkteve të tjera që vijnë nga kafshët si mirësi prej Allahut për njerëzimin, përmendet në Kur’an:

Vërtet edhe te bagëtitë për ju ka shenja (për të medituar): Ju pini atë që gjendet në barkun e tyre, hani mishin e tyre e nxirrni shumë dobi të tjera. (Sure Muminun: 21)

Në Kur’an përmendet: “me lëng prej barkut të tyre”, dhe Allahu na mëson për të mirat që kemi nga kafshët. Për shembull, ka diçka që mbetet në sistemin tretës, nga ushqimi që ka ngrënë një lopë, nga uji që ka pirë, gjaku që qarkullon nëpër venat e saj dhe organet e saj të brendshme. Është me të vërtetë një mrekulli që një përzierje si qumështi, me aromë të këndshme, i pastër e i bardhë, i cili është aq i dobishëm për shëndetin, vjen nga një përzierje e tillë. Përveç kësaj, ai prodhohet në kushtet më higjenike, përkundër faktit që ndodhet në një zonë që përmban material që duhet nxjerrë jashtë.

Një tregues tjetër i dijes së pafund të Allahut është fakti se, materiali bazë që prodhon qumështin është bari i gjelbër. Po kafshët që prodhojnë qumësht, nga një lëndë e gjelbër dhe e ashpër, krijojnë një lëng të bardhë, falë një sistemi të mrekullueshëm që Allahu ka krijuar në trupin e tyre. Në Kur’an, Allahu na tregon se nga se përbëhet qumështi:

Në fakt, edhe te bagëtitë ju keni shenja për të mësuar prej tyre. Ne ju japim atë që kanë në barkun e tyre prej ushqimit të përpunuar dhe gjakut: qumësht të pastër dhe të shijshëm për ata që e pinë. (Sure Nahl: 66)

Siç e dimë, qumështi është një ushqim shumë i pasur, i cili përmban disa lëndë për të cilat ka nevojë trupi ynë; ai është një lëng që luan një rol shumë të rëndësishëm edhe në ushqyerjen e fëmijëve dhe të të rriturve.

Një ushqim tjetër që vjen nga kafshët, i vogël në vetvete, por me një vlerë të madhe ushqyese është veza. Ndërtimi i kësaj magazine proteinash, vitaminash dhe mineralesh është një mrekulli tjetër. Pula prodhon vezë çdo ditë pa vetëdijen më të vogël dhe i mbron ato me një mbështjellëse të habitshme. Të mendosh se si krijohet aq mrekullisht një lëvozhgë veze përreth lëngut që ka brenda, apo si është futur lëngu brenda, ndonëse nuk ka asnjë mbështjellëse, e rrit habinë që ndjen besimtari për mjeshtërinë krijuese të Allahut.

Pije të ndryshme, të cilat merren të mirëqëna nga disa njerëz, duke i parë ato të domosdoshme për mëngjes, vijnë nga bimët. Pasi gjethet e pemëve u janë nënshtruar disa proceseve, bëhen lëngje të ëmbla dhe me aromë të këndshme. Gjithashtu mijëra lloje bimësh të tjera që i rrit e njëjta tokë, shfaqin fuqinë e pamatë, diturinë e lartë dhe mëshirën e Allahut i cili i krijoi ato. Ashtu siç thotë Zoti ynë në Kur’an:

Është Ai që ka krijuar kopshte vreshtash të larta dhe të shtruara, hurma dhe bimë, me shije të ndryshme, ullinj e shegë, të ngjashme dhe të ndryshme… (Sure En’am: 141)

Allahu na ka falur mirësi të panumërta që i ka krijuar për t’i shijuar ne. Ai i sprovon njerëzit në jetën e kësaj bote me pasuri dhe varfëri, por, Ai kënaqet me ata të cilët shfaqin cilësi të shkëlqyera morale kur përballen me këto sprova. Ai thotë në Kur’an se këta lloj njerëzish do të shijojnë mirësi të pafundme në Parajsë. Për shembull, disa njerëz hanë një mëngjes të shijshëm dhe të pasur, ndërsa, disa të tjerë hanë vetëm disa kafshata sa për të mbajtur frymën. Por besimtari, përtej pasurisë apo varfërisë, sillet gjithmonë në atë mënyrë që fiton kënaqësinë e Allahut dhe e falenderon Atë për çdo gjendje. Nëse është i pasur nuk lëvdohet dhe nuk bëhet kryelartë. Nëse është i varfër, nuk ndihet në ankth dhe as nuk i vjen keq për veten.

Besimtari është i vetëdijshëm se Allahu po e sprovon dhe se çdo gjë në këtë jetë është kalimtare. Në Kur’an, Ai thotë se do t’i sprovojë njerëzit me të mira dhe me të këqija. “Ne ju sprovojmë me të mira dhe me të këqija dhe ju dotë ktheheni tek Ne.” (Sure Enbija': 35)

Për këtë arsye, një person që ve në jetë fjalët e Kur’anit e di se shpërblimin e Allahut nuk do t’ia sjellin mirësitë që ka marrë, por qëndrimi i tij ndaj këtyre mirësive. Edhe pse nuk është i pasur, ai e falenderon sinqerisht Allahun. Në Kur’an, Ai thotë se do t’ua shtojë mirësitë atyre që falenderojnë duke qenë të sinqertë dhe të durueshëm dhe i paralajmëron mosmirënjohësit se dhimbjet e Ferrit janë të tmerrshme:

(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’ua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë. (Sure Ibrahim: 7)

Kur dikush mediton mbi provat e krijimit të përsosur rrotull tij, po ashtu edhe arsyet e krijimit të ushqimit, do të shohë qëllimin që fshihet prapa në ndërtimin dhe punën e gojës së krijuar për t’i ngrënë këto gjëra me lehtësi. Që të hajë njeriu, duhet që: ushqimi, buzët, dhëmbët, nofullat, gjendrat e pështymës, dhe miliona qeliza të punojnë në një harmoni të përsosur. Dhe kjo është krijuar kaq përsosmërisht sa, të tilla veprime mund të kryhen në të njëjtën kohë në mënyrë harmonike, pa më të voglën pengesë. Dhëmbët e përtypin ushqimin në pjesëza të vogla, ndërsa gjuha e shtyn atë midis dhëmbëve për ta përtypur. Me muskujt e tyre të fortë, nofullat ndihmojnë dhëmbët për ta përtypur, në kohën që njeriu e lëviz gjuhën siç duhet. Buzët shërbejnë si një derë e mbyllur mirë për ta penguar ushqimin të bjerë nga goja.

Përveç kësaj, pjesët që i përbëjnë këto organe, punojnë së bashku në një harmoni të përkryer. Për shembull, sipas vendndodhjes dhe ndërtimit të tyre, e ndajnë ushqimin në copa dhe e bluajnë atë. Të gjithë dhëmbët janë vendosur me rregull nëpër vendet e tyre sipas detyrës që kanë; secili prej tyre rritet deri në një farë gjatësie me qëllim që të punojë në bashkëpunim me dhëmbin tjetër që ndodhet përballë tij. Sigurisht që, këto organe nuk kanë as vetëdije dhe as inteligjencë; ato nuk mund të vendosin bashkarisht në mënyrë që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Ky rregullim i shkëlqyer i përshkruar shkurtimisht më lart, nuk mund të ndodhë rastësisht. Çdo pjesë e tij është ndërtuar ashtu siç duhet për të përmbushur një qëllim të caktuar. Nuk ka dyshim se, ky projektim i mrekullueshëm është krijuar nga Zoti ynë, i Cili "krijoi gjithçka dhe e përcaktoi atë." (Sure Furkan: 2). Allahu ka krijuar gjithë këto gjëra me qëllim që t’ua lehtësojë njerëzve ushqyerjen, dobinë dhe kënaqësinë që vjen prej saj.

Diçka tjetër e rëndësishme mbi të cilën mund të thellohet besimtari është se, ai mund të ndjejë aromën e ushqimeve në kuzhinë dhe e bën këtë pa ndonjë mundim. Kjo bëhet e mundur për shkak të aftësive të tij mrekullueshme. Shqisat e shijes dhe nuhatjes, të cilat nuk rreshtin së vepruari gjatë gjithë jetës, punojnë për mrekulli pa asnjë sforcim prej tij; ato nuk kanë bërë ndonjë stërvitje për të punuar në mënyrë kaq frytdhënëse dhe vetë ato nuk janë të vetëdijshme për punën e tyre.

Nëse njeriu nuk do ta kishte shqisën e të shijuarit, shijet e ndryshme të mishit, perimeve, supërave, sallatave, frutave, pijeve dhe reçelit nuk do të kishin kuptim për të. Veç kësaj, shija e këtyre ushqimeve nuk do të ishte e mirë; ato mund të ishin pa shije, të njëtrajtshme dhe ngacmuese për stomakun. S’ka dyshim se, shijet dhe aftësia për t’i ndier ato janë krijuar posaçërisht për njerëzit. Do të ishte një gabim i madh të jemi indiferentë ndaj këtij fakti, për shkak të pakujdesisë apo pandjeshmërisë së fituar, si pasojë e zakonit. Kur'ani na tregon se, Allahu krijoi ushqim të mirë dhe të pastër:

Allahu është Ai që ua bëri tokën vendbanim e qiellin kulm, ju ka dhënë formë e jua ka përsosur atë dhe ju ka furnizuar me ushqime të mira. Ja, ky është Allahu, Zoti juaj. Qoftë i lartësuar Allahu, Zot i botëve! (Sure Gafir: 64)

Sigurisht që, për njerëzit që mendojnë thellë, çdo lloj shije është një mënyrë për ta lartësuar Allahun ashtu siç e meriton, për ta përkujtuar Atë me mirënjohje, ta lavdërojmë dhe ta falenderojmë. Besimtari, i cili e di se të gjitha llojet e ushqimeve dhe pijeve vijnë nga Allahu, mendon për këtë sa herë që ulet në tavolinë për të ngrënë dhe e falenderon Zotin tonë. Ai thotë në Kur’an:

Shenjë për ata është toka e vdekur; Ne e ringjallim atë dhe nga ajo nxjerrim drithëra, me të cilat ushqehen. Ne kemi krijuar në tokë kopshte hurmash dhe vreshta e kemi bërë të shpërthejnë në të burime uji, që ata t’i hanë frutat e tyre. Këto nuk i bënë duart e tyre; ndaj përse ata nuk duan të jenë mirënjohës? (Sure Ja Sin: 33-35)

Vallë, a nuk e shohin ata se, ndër gjërat që Duart Tona kanë krijuar për ta, janë bagëtitë që ata zotërojnë?! Ne bëmë që ato t’u nënshtohen atyre, kështu që disa i shalojnë e prej disave ushqehen, prej disave pinë dhe nxjerrin dobi të tjera. Vallë, si të mos falenderojnë! (Sure Ja Sin: 71-73)

Disa njerëz mendojnë se, nuk është e rëndësishme të reflektojnë mbi disa shenja shumë të rëndësishme, edhe pse hanë ushqime të shijshme dhe me aromë të këndshme dhe i kanë plotësuar nevojat e tyre gjatë gjithë jetës. Ata nuk e marrin parasysh faktin se, Allahu i ka krijuar për ta këto mirësi të pakrahasueshme dhe se duhet ta falenderojnë Atë që i ka pajisur me to. Ky është një qëndrim i gabuar; ndaj, ata nuk duhet të harrojnë se do të pyeten në botën tjetër nëse kanë qenë falenderues ndaj Allahut apo jo.

Besimtari është i vetëdijshëm se Allahu ia ka dhënë trupin si një amanet dhe ai është përgjegjës për t’u kujdesur sa më mirë për këtë mirësi të madhe dhe për këtë ai duhet të ushqehet në një mënyrë të shëndetshme. Ai e di se për të kryer vepra të mira ai duhet të jetë i shëndetshëm, ndaj duhet të ushqehet me një dietë të balancuar. Ai e di se trupi duhet të marrë gjithë ushimin që ka nevojë për zhvillimin e 100 trillion qelizave në mënyrë që ato të rigjallërohen dhe të punojnë ashtu siç duhet. Kështu që edhe për mëngjes ose në çdo kohë të ditës ai do të hajë ushqime natyrale dhe të shëndetshme dhe do të shmangë ushqimet e dëmshme, sado tërheqëse dhe të shijshme që mund të duken në pamjen e jashtme. Ai nuk është as dembel dhe as i pakujdeshëm në këtë drejtim. Për shembull, ai e di se puna e organeve të trupit, aftësia që ka trupi i tij për t’u pastruar nga lëndët toksike dhe kapaciteti i tij për ta mposhtur ankthin dhe lodhjen, të gjitha këto varen nga uji (të cilin shumë njerëz e neglizhojnë ta pinë rregullisht) dhe ai do të jetë i kujdesshëm që të pijë një sasi të mjaftueshme gjatë ditës. Profeti, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, në disa raste na tërheq vëmendjen për rëndësinë e ujit.

Për shembull, gjatë një udhëtimi ai u ul diku dhe kërkoi ujë nga ata që kishte pranë. Pasi lau duart dhe fytyrën dhe piu pak prej tij, u tha sahabëve: Hidhni pak ujë në fytyrë dhe në kraharorin tuaj.” (Sahihul-Buhari) Profeti ynë paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë pasi piu ujë:

"Falenderimi i takon Allahut, i Cili e ka bërë atë të shijshëm dhe të ëmbël me madhështinë e Tij dhe nuk e ka bërë as të kripur as të hidhur." (Ihja Ulumud-Din, Imam Ghazali)

 
2 / total 9
Rreth kësaj faqeje | Bëni faqen tuaj | Shtoje në të preferuarat | RSS Feed
Të gjitha materialet mund të kopjohen, shtypen, prezentohen dhe shpërndahen duke iu referuar kësaj faqeje.
(c) All publication rights of the personal photos of Mr. Adnan Oktar that are present in our website and in all other Harun Yahya works belong to Global Publication Ltd. Co. They cannot be used or published without prior consent even if used partially.
page_top