|
QËLLIMI I JETËS SË BESIMTARIT: PËLQIMI I ALLAHUT
Allahu udhëheq tëgjithë ata të cilët kërkojnë Kënaqësinë
e Tij drejt rrugëve të paqes dhe Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë
me Vullnetin e Tij dhe i udhëzon në Rrugën e Drejtë (Islam). (Sure el-Ma'ideh:
16)
Çfarë e bën një Musliman të ndryshëm nga njerëzit e tjerë? Jomuslimanët
mund t'i përgjigjen kësaj pyetjeje në shumë mënyra; ata mund të flasin
për ndryshime kulturore dhe morale, për "këndvështrime të ndryshme të
botës" apo për vlera që ata i mohojnë haptas. Ndryshe, disa mund të thonë
që ndryshimi i ka rrënjët e tij në ideologjitë e ndryshme që përqafojnë
Muslimanët. Megjithatë, gjithë këto ndryshime kanë të bëjnë me ndryshime
"të dukshme" që duket se janë pasoja te një të tilli më themelor. Shpesh,
ata nuk i kuptojnë arsyet që fshihen poshtë këtij ndryshimi. ( Në fakt,
pse ata nuk janë Muslimanë është se ata nuk e kuptojnë këtë ndryshim).
Përpara se të shpjegojmë vetinë bazë e të qënit musliman duhet të theksojmë
diçka tjetër: Kur ne flasim për një "Musliman", ne nuk po i referohemi
dikujt që e ka të shkruar "Musliman" mbi pashaportë. Në fakt, Musliman
është emri që Allahu i vë atyre që përkrahin fort fenë e Tij. Vetia themelore,
sipas Kur'anit, që i dallon Muslimanët nga njerëzit e tjerë është vëmendja
e tyre ndaj fuqisë të pafundme të Allahut. Megjithatë, kjo nuk do të thotë
gjithmonë afirmimin e ekzistencës së një Krijuesi. Kur'ani e nënvizon
këtë fakt si më poshtë:
Thuaju: "Kush ju sjell furnizim nga qielli dhe nga toka
dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Dhe kush e nxjerr
të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Dhe kush është
rregulluesi dhe sunduesi i të gjitha çështjeve?". Do të thonë të gjithë
"Allahu". Thuaju: "A nuk do të keni atëherë frikë nga Ndëshkimi i Allahut?"
Ky është Allahu, Zoti juaj i Vërtetë. Kështu pas së vërtetës, ç'gjë tjetër
mund të ketë përveçse të gabuarës? Si atëherë keni humbur (nga e vërteta
drejt mohimit dhe shkarjes) ?( Sure Junus: 31-32)
Në ajetet e mësipërme, pyetjet i janë bërë atyre që e njohin ekzistencën
e Allahut, i pranojnë veçoritë e Tij dhe, pavarësisht nga të gjithë këto
veçori, nuk kanë frikë nga Allahu dhe si rrjedhim largohen prej Tij .
(Në fakt as shejtani nuk e mohon ekzistencën e Allahut).
Të kuptosh fuqinë e Allahut nuk është vetëm një thënie verbale . Besimtarë
janë ata që pranojnë ekzistencën e Allahut dhe madhështinë e Tij, "janë
të qëndrueshëm në detyrimet e tyre" ndaj Tij dhe i drejtojnë të gjitha
qëllimet e tyre ndaj Tij dhe ecin në dritën e këtij realiteti që u është
bërë i dukshëm. Të tjerët, nga ana tjetër, janë njësoj si ata që e mohojnë
Allahun, të përmendur edhe këta në ajetet e mëparshme, që nuk i kryejnë
detyrimet e tyre ndaj Allahut, pavarësisht nga pranimi i tyre për ekzistencën
e Tij.
Përgjatë jetës së tyre, njerëz të tillë mbeten plotësisht të pavëmendshëm
ndaj Allahut, Krijuesit të njeriut. Se kujt ia detyrojnë jetën e tyre
apo, si dhe pse iu është dhuruar kjo jetë mbi tokë, janë pyetje me të
cilat ata nuk e shqetësojnë veten e tyre. Ata përballojnë një lloj jete
plotësisht të veçuar nga Allahu dhe feja e Tij. Megjithatë, krahasimi
i mëposhtëm në Kur'an e tregon qartë që një jetë e tillë qëndron mbi baza
të kota dhe të kalbura dhe është e dënuar të shkatërrohet:
A është atëherë më i miri ai i cili i vuri themelin e
ndërtesës së tij tek përkushtimi ndaj Allahut dhe të Kënaqësisë së Tij
të Vyer, apo ai i cili vuri themelin e ndërtesës së tij të paqëndrueshëm
buzë greminës, saqë u thërrmua bashkë me të në Zjarrin e Xhehenemit? Dhe
Allahu nuk i do keqbërësit.(Sure et-Teube: 109)
Ashtu siç na informon ajeti i mësipërm, jetët e atyre që u mungon besimi,
si të përshkruara në Kur'an, themelohen "buzë greminës" . Qëllimi kryesor
i mosbesimtarëve është arritja e lumturisë dhe paqes "në këtë botë". Kështu,
ajo që ata duan më shumë është që të bëhen të pasur. Dhe përpiqen shumë
për t'ia arritur kësaj me të gjitha mjetet mendore dhe fizike. Për të
tjerë, të jesh një person i njohur dhe i respektuar është qëllimi i jetës;
ata do të bënin gjithçka për të fituar respekt publik. Megjithatë, këto
s'janë asgjë veç qëllime boshe që do vaniten kur të vijë vdekja mbi ta.
Disa prej tyre, madje kujtojnë se kanë arritur qëllimet e tyre në këtë
botë.
Një besimtar, sidoqoftë, është tërësisht i njohur me ekzistencën dhe
fuqinë e Allahut. Ai e di pse Allahu e krijoi dhe cilat janë premtimet
e Tij për të. Për këtë arsye, udhëzimi kryesor në jetën e besimtarit është
të jetë një shërbëtor me të cilin Allahu të jetë i kënaqur. Ai i përdor
të tëra mënyrat dhe përpjekjet për të arritur qëllimin e tij. Me këtë
rast, ai zgjidh misterin e vdekjes: për shumë njerëz ajo s'është gjë tjetër
vetëm fundi, kurse për besimtarin vdekja nuk është një shuarje por një
fazë kalimtare për në jetën e vërtetë.
Jobesimtarët e mendojnë vdekjen si "një aksident të vetë-gjeneruar",
ashtu siç e mendojnë dhe jetën të ketë lindur spontanisht dhe rastësisht.
Fakti është se, sido që të jetë, Allahu krijon jetën dhe vetëm Ai mund
ta marrë. Vdekja, që në asnjë mënyrë nuk është rastësi apo aksident, është
një ngjarje që ndodh sipas ligjit të Allahut në një moment dhe vend të
caktuar.
Nje Musliman është një person i cili kupton që Allahu ka fuqi mbi të
gjitha gjërat dhe se vdekja nuk është fundi por një kalim në vendqëndrimin
real të njeriut ( bota e Pertejme). I njohur me këto fakte, ai e eviton
me kujdes ndërtimin e jetës së tij "buzë greminës". Ai kthehet nga Allahu,
duke e ditur se Ai është Zotëruesi i vërtetë dhe Krijuesi i jetës, vdekjes
dhe asaj që vjen pas saj. Në këtë sistem të krijuar nga Allahu, ai kupton
që pasuria, pozita shoqërore apo pamja e bukur nuk janë mjetet që e çojnë
njeriun drejt suksesit; ato janë vetëm "raste" që ndodhin nën urdhërat
e Allahut, që vlejnë vetëm për një periudhë të shkurtër kohe.
Çelsi i sistemit që Allahu ka krijuar është pranimi i Tij. Kjo sepse
Allahu udhëzon vetëm ata që kërkojnë aprovimin e Tij.
Allahu udhëheq të gjithë ata të cilët kërkojnë Kënaqësinë
e Tij dhe Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë me Vullnetin e Tij dhe
i udhëzon në Rrugën e Drejtë (Islam).(Sure el-Ma'ideh: 16).
Një Musliman është i tillë sepse ai kërkon aprovimin e Allahut. Ky është
dhe dallimi kryesor mes Muslimanëve dhe njerëzve të tjerë. Muslimanët
e shohin fenë si një mënyrë për të fituar kënaqësinë e Allahut, kurse
shumica e njerëzve e marrin këtë si një sistem bestytnish që zënë një
pjesë të mirë të jetës së tyre.
Në të vërtetë, në këtë pikë shfaqet papritur dallimi mes Muslimanëve
të vërtetë dhe të atyre që i imitojnë ata (hipokritët). Muslimanët e përqafojnë
fenë si një rrugëkalim drejt kënaqësisë së Allahut. Për hipokritët, kjo
është diçka nga e cila ata përfitojnë. Për këtë arsye, faljet e hipokritit
kanë natyrë "pretencioze" (Sure el-Ma'un: 6), ndërsa Muslimanët falen
me përulje (Sure al-Mu'minun: 1-2). Në mënyrë të ngjashme, ndërkohë që
Muslimanët i shpenzojnë paratë e tyre për çështjen e Allahut, hipokritët
i shpenzojnë për të lënë mbresë tek njerëzit e tjerë dhe jo për të fituar
kënaqësinë e Allahut.
O ju që keni besuar! Mos e jepni Sadakanë (lëmoshën)
duke e ndjekur me njoftime për të treguar bujarinë apo me lëndime, si
ai që shpenzon pasurinë e tij për t'u parë nga njerëzit, dhe ai nuk beson
në Allahun, as edhe në Ditën e Fundme. Shembulli i tij është si një gur
i lëmuar mbi të cilin ka fare pak pluhur; mbi të bie një shi i rrëmbyer
që e lan atë dhe nuk mbetet gjurmë pluhuri në të. Ata nuk janë në gjendje
të bëjnë asgjë me atë që kanë fituar. Dhe Allahu nuk e drejton popullin
jobesimtar.(Sure el-Bekare: 264)
Perpjekjet e duhura për kënaqësinë e Allahut
Njeriu përpiqet shumë për të fituar mirësi të kësaj bote, të cilat i
mendon si qëllimi përfundimtar i jetës së tij. Ai bën ç'të mundet për
të arritur mirëqënie materiale, njohje të shtresës shoqërore apo përfitime
të tjera të kësaj bote. Për një "fitim të vogël" (Sure et-Teube: 9) që
do t'i rrëshkasë nga duart shumë shpejt, ai bën një përpjekje me të gjitha
energjitë e tij.
Muslimanët, që shpresojnë në një shpërblim shumë më të madh, që është
Kënaqësia e Allahut dhe Kopshti i Tij, gjithashtu përpiqen shumë për çështjen
e tyre. Për këtë veçori, Allahu thotë:
Kushdo që dëshiron gjërat kalimtare (të kënaqësisë së
kësaj bote), Ne ia japim atij menjëherë çfarë Ne duam dhe për kë Ne duam.
Pastaj, mbas kësaj Ne kemi përcaktuar për të Xhehenemin, aty do të digjet
i përçmuar dhe i flakur tej. Dhe kushdo që dëshiron Jetën e Fundit dhe
përpiqet dhe i shërben asaj me mundin që duhet për të duke qenë besimtar,
atëherë të tillët janë ata që përpjekja e të cilëve do të jetë e pëlqyer
( e falenderuar dhe e shpërblyer nga Allahu).(Sure el-Isra': 18-19)
Një besimtar përpiqet "me mjetet e duhura" për pranimin e Allahut dhe
për Botën tjetër. Ai "shet" pronën e tij dhe jetën e tij për hir të Allahut.
Në Kur'an, kjo karakteristikë e besimtarëve shpjegohet si më poshtë:
Me të vërtetë Allahu ka blerë nga besimtarët jetën e
tyre dhe pasurinë e tyre me Çmimin se i tyre do të jetë Xhenneti. Ata
luftojnë për Çështjen e Allahut, kështu që ata vrasin dhe vriten. Është
një premtim i vërtetë të cilin Ai ia detyroi Vetes në Teurat, Inxhil dhe
në Kur'an. E kush është më i vërtetë në besën e tij sesa Allahu? Atëherë
gëzohuni në marrëveshjen që keni përfunduar. Ky është ngadhënjimi madhështor.(Sure
et-Teube:111)
Besimtari nuk do hasi vështirësi në rrugën e Allahut, nëse ai ia ka shitur
"pronën dhe jetën e tij" Allahut. Atë s'e tërheq asgjë përveç kenaqësisë
së Allahut. Duke e ditur se ai nuk "e zotëron" trupin dhe pronën e tij,
ai nuk i ndjek kurrë dëshirat e tij (nefset). Allahu është zotëruesi i
trupit të tij dhe i çdo gjëje që ai ka, dhe ato do t'i vihen në shërbim
sipas dëshirës se Allahut. Gjithashtu, do të provohet nga Allahu edhe
nëse vendosmëria e dikujt është serioze. Një besimtar nuk duhet t'i shmangë
betejat në rrugëkalimin e Allahut. Kjo sepse, hipokritët mund të kryejnë
ndonjë vepër që duket sikur përputhet me kënaqesinë e Allahut (por jo
veprën e duhur), për të pasur ndonjw "përfitim të lehtë".
Po të kishte qenë një përfitim i afërt dhe një udhëtim
i i lehtë, ata do të kishin ardhur pas, por largësia ishte e madhe për
ta dhe do të betoheshin për Allahun, "Vetëm sikur të mundeshim, pa sigurisht
që do të dilnim bashkë me ju". Ata shkatërrojnë veten e tyre dhe Allahu
e di se ata janë gënjeshtarë.(Sure et-Teube: 42).
Prandaj, i vetmi kriter për të qenë një besimtar është të ndjesh një
dëshirë të sinqertë për të arritur pranimin e Allahut dhe të mos ndalesh
para sakrificave në rrugën e Allahut kur rrethanat i kërkojnë këto sakrifica.
Besimtarët janë ata të cilët "u zgjodhën për një qëllim të lartë duke
u dhuruar mirësinë e mesazhit të përkujtimit të Shtëpisë ( së Fundit të
njerëzve)" (Sure Sad:46). Një besimtar nuk kërkon asgjë përveç miratimit
te Allahut. Ai shpreson ta kënaqë Allahun, të ketë meshirën e Tij dhe
të fitojë Parajsën, sepse "kushdo, mashkull apo femër qoftë dhe është
besimtar i vërtetë në njësinë e Allahut, një i tillë do të hyjë në Xhennet
dhe atyre nuk do t'i bëhet as padrejtesia më e vogël qoftë edhe sa Nakira
(lëvozhgë e bërthamës së hurmës)" . (Sure an-Nisa':124)
Siç e pamë, Kur'ani na jep një pamje të shtjelluar qartë të besimtarit.
Parajsa është vendi i atyre që "kanë besim të vendosur" në Allahun dhe
në Jetën e Pastajme (Sure Lukman: 4) dhe pastaj "përpiqen me të gjitha
mjetet e duhura" në rrugën e Allahut. Fundi i atyre që "respektojnë Allahun
me anë të fesë se vërtetë" dhe i vendosin interesat e pavlera të kësaj
bote pranë kënaqësisë së Allahut, përshkruhet kështu në Kur'an:
Dhe nga mesi i njerëzve është dhe ai i cili adhuron Allahun
si të ishte mu në cak (të dyshimit): nëse i bie e mirë, ai kënaqet me
të, por nëse e godet ndonjë sprovë, ai kthehet prapë nga vetja e vet duke
humbur kështu të dyja, edhe këtë botë edhe Jetën e Fundit. Kjo është humbje
e qartë.(Sure el-Haxh: 11)
Besimtarët janë lakmues të botës tjetër. Allahu u premton atyre një jetë
të përhershme. Zoti ynë i premton besimtarëve që Ai do t'i japë edhe një
jetë të mirë shërbyesve të tij besues edhe në këtë botë, madje. Por kjo
s'do të thotë aspak se ata nuk do të hasin ndonjë vështirësi apo shqetësim
në këtë botë. Vuajtjet që ndeshin krijohen për t'i vënë ata në provë dhe
për t'i bërë më të pjekur.
Pengesat që has një besimtar janë, në dukje, situata të vështira, por
ku ato pranohen me përulje dhe bindje, Allahu e liron atë nga të gjitha
ato vështirësi. Për shembull, kur njerëzit e tij u përpoqën ta hidhnin
Profetin Ibrahim (a.s.) në zjarr për shkak të besimit të tij, përgjigjia
e tij ishte tamam e një Muslimani; ai parapëlqeu të hidhej në zjarr sesa
të largohej nga besimi i tij apo nga urdhërat e Allahut. Të hidhesh në
zjarr është dhimbja më e tmerrshmë fizike që mund të provojë ndonjë qënie
njerëzore në këtë botë. Megjithatë, Ibrahimi (a.s.) që e përballoi këtë
provë nga Allahu në mënyrën më përulëse e me bindje, u shpëtua nga kjo
me Dëshirën e Allahut dhe nuk u dëmtua aspak.
(Ibrahimi) u tha: "A adhuroni atëherë ju përveç Allahut
gjëra që as nuk ju sjellin juve ndonjë të mirë dhe as nuk ju dëmtojnë?
Turp për ju dhe përmbi ata që ju adhuroni në vend të Allahut! A nuk keni
mend, pra?" Ata thanë: "Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, në do të
veproni gjë". Ne thamë: "O Zjarr! Bëhu i ftohtë dhe paqë e siguri për
Ibrahimin!" Dhe ata deshën ta dëmtonin atë; por Ne i bëmë ata humbësit
më të mëdhenj.(Sure el-Enbija: 66-70).
Fakti që, nuk do kenë asnjë dëm ata që nuk kanë frikë të humbasin çdogjë
ndërsa përpiqen për çështjen e Allahut dhe se ata do të fitojnë mjaft
shpërblime materiale dhe shpirtërore, është theksuar në Kur'an në një
pjesë që ngre në qiell besimin e tyre edhe kur janë një hap larg mposhtjes
në luftë:
Njerëzit thanë: "Vërtet populli (pagan) ka grumbulluar
kundër jush një ushtri të madhe, kështu që friksojuni atyre", por kjo
në të vërtetë vetëm u shtoi Besimin dhe thanë: " Allahu vetëm na mjafton
neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve. Kështuqë ata
u kthyen me Mirësi dhe Begati nga Allahu. Asnjë e keqe nuk i preku dhe
ndoqën Kënaqësinë e Allahut dhe Allahu është Zotëruesi dhe Dhuruesi i
Mirësive të pafund. Vetëm Shejtani jua shtie në mendje frikën e ndjekësve
të tij (mosbesimtarët, paganët, mohuesit e njësisë së Allahut, etj), kështu
që mos iu frikësoni atyre aspak, por m'u frikësoni vetëm Mua nëse jeni
besimtarë të vërtetë. Dhe le të mos pikëllojnë ty (o Muhammed a.s.) ata
të cilët nxitojnë në mohim. Vërtet as dëmin më të vogël nuk do t'i shkaktojnë
Allahut. është dëshira e Allahut për të mos u dhënë asnjë pjesë në Botën
e përtejme dhe për ta do të ketë ndëshkim të madh.(Sure Al'Imran: 173-177)
Si përfundim, s'ka mjerim, vështirësi apo brenga në jetën e një besimtari
që kërkon aprovimin e Allahut dhe i vëzhgon urdhërat e Tij. Kjo tregohet
nga rrjedha e ngjarjeve me të cilat Allahu provon këmbënguljen, durimin
dhe përuljen. Këto ngjarje, të para nga jashtë, janë shqetësuese dhe të
vështira; por nëse priten me durim dhe bindje, ato bëjnë të shihet më
mirë mëshira e Allahut. Veç kësaj, Allahu na informon në Kur'an se Ai
nuk e ngarkon dikë më shumë sesa ai mund të durojë.
Allahu nuk e rëndon askënd mbi mundësitë që ai ka.(Sure
el-Bekare: 286).
Allahu nuk e dënon një besimtar që i shërben siç duhet, as në këtë botë
dhe as në tjetrën. Përkundrazi, Ai e shpërblen atë gjerësisht në këtë
botë dhe përtej.
Dhe kur t'u thuhet të përkushtuarve (ndaj Allahut), "Çfarë
ju ka zbritur Zoti juaj?" ata do të përgjigjen: "Të gjitha më të mirat"
Për ata që bëjnë mirësi në këtë botë, do të kenë mirësi, ndërsa Banesa
e Botës së Fundit do të jetë akoma dhe më e mirë. Vërtet e shkëlqyer do
të jetë Banesa e të përkushtuarve. Kopshtet e Begatisë së përjetshme të
Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj, ku ata do të hyjnë, aty ka për
ta gjithçka që dëshirojnë. Kështu i shpërblen Allahu të përkushtuarit.
(Sure en-Nahl: 30-31)
Si një kujtesë nga Allahu, vuajtja, vështirësia dhe shqetësimi i vijnë
atyre që nuk janë në gjëndje të arrijnë miratimin e Allahut, që nuk tregojnë
bindje absolute ndaj Tij por shohin dëshirat e tyre. Kur besimtarët bëjnë
një gabim, ata i konsiderojnë shqetësimet dhe vështirësitë si një pasojë
, si një paralajmërim i mëshirshëm nga Allahu. Të kujdesshëm, nxjerrin
mësim prej tij, pendohen dhe përmirësojnë sjelljen e tyre. Kurse jobesimtarët,
nuk mësojnë kurrë nga mynxyrat që hasin, prandaj meritojnë vuajtje të
përhershme në botën tjetër.
Të njohësh shpirtin
Një pjesë tjetër shumë e rëndësishme e informacionit që na jep Kur'ani
për njeriun është "shpirti" i tij (en-nefs). "Shpirti", sipas Kur'anit,
d.m.th. "ego" ose "personalitet".
Në Kur'an, Allahu shpjegon dy aspektet e shpirtit: një që nxit shejtanin
dhe veprat e ulëta, dhe tjetri që ruhet nga çdo ngulitje e shejtanit.
Kur'ani e shpjegon këtë në Suren esh-Shems:
Për shpirtin dhe për Atë i cili e përsosi atë në përmasa;
pastaj i tregoi atij çfarë është e gabuar dhe çfarë është e drejtë për
të; vërtetë që do të ngadhnjejë ai i cili e pastron vetveten; dhe vërtet
që dështon ai i cili e prish vetveten.(Sure esh-Shems: 7-10).
Pra, siç shihet nga ajetet e mësipërme, e keqja ekziston në shpirtin
e çdo njeriu. Megjithatë ai që pastron shpirtin e tij do të ketë shpëtim.
Besimtarët nuk i dorëzohen të keqes brenda tyre; ata thjesht e evitojnë
atë nën orientimin e frymëzimit të Allahut. Ashtu siç tha Profeti Jusuf
(a.s.): "Edhe unë nuk e liroj veten nga faji. Padyshim që uni (nefsi njerëzor)
është i prirur drejt së keqes - përveç kur Zoti derdh mëshirën e Tij (mbi
atë që do)
" (Sure Jusuf: 53), që është mënyra e duhur e të menduarit
të besimtarit.
Meqë uni "është i prirur drejt se keqes", një besimtar duhet të jetë
gjithmonë vigjilent për shpirtin e tij. Ashtu siç tha dhe Profeti Muhammed
( s.a.u.s.), "beteja më e madhe është beteja kundër vetes (nefsit)". Shpirti,
përherë e tundon njeriun dhe nuk i jep nga kënaqësitë e Allahut. Ndërsa
bën këto, ai përpiqet të ofrojë alternativa joshëse. Megjithatë, një besimtar,
falë frikës së tij nga Allahu, nuk mashtrohet nga ky aspekt "shtrembërues"
i shpirtit. Ai gjithmonë kthehet nga ajo që është e drejtë, për të kaluar
një jetë në përputhje me Dëshirën e Allahut. Ky është qëndrimi i një personi
të mençur, në kundërshtim me atë të një të marri, siç e thotë dhe Profeti
Muhammed (s.a.u.s.): Një person i urtë, i mençur, është ai që mban një
orë mbi dëshirat dhe pasionet e trupit të tij, dhe e ruan veten nga ajo
që është e dëmshme, dhe përpiqet për atë që do i sjelle përfitime pas
vdekjes; dhe një person i marrë është ai që ulet para dëshirave dhe pasioneve
të tij dhe pret nga Allahu përmbushjen e dëshirave të kota. (Tirmidhiu)
Ruajtja nga idhujtaria
Shumë shkurt, idhujtaria është shoqërimi i qënieve të tjera me Allahun.
Duke parë këtë përkufizim, shumë njerëz mund të thonë " Ne nuk i shoqërojmë
asgjë Allahut", por ndoshta nuk është kështu. Moskuptimi i tyre i idhujtarisë
mund të çojë në këtë thënie. Në fakt, Kur'ani tregon rastin e shumë njerëzve
që i shoqërojnë diçka Allahut - d.m.th. janë idhujtarë - por që nuk e
pranojnë kurrë këtë situatë:
Dhe ditën kur Ne do t'i mbledhim të gjithë ata së bashku,
Ne do t'u themi atyre që Na bashkonin të tjerë në adhurim: "Ku i keni
shokët të cilët ju gjithnjë i mbajtët (si të adhuruarit tuaj)?" Në këtë
kohë nuk do tu lihet asnjë dredhi por vetëm që të thonë: "Betohemi për
Allahun, Zotin tonë se nuk kemi qenë prej atyre që adhuronin të tjerë
përveç (e përkrah) Allahut .(Sure En Aam: 22-23)
Askush nuk duhet të pranojë që është i çliruar kompletësisht nga idhujtaria,
por duhet t'i lutet Allahut ta mbajë larg saj. Kjo sepse idhujtaria është
mëkat i madh. Kur Profetin Muhammed (s.a.u.s.) e pyetën kush ishte mëkati
më i madh, ai u përgjigj "T'i bësh shok Allahut, ndërkohë që Ai të ka
krijuar ty". Në Kur'an, Allahu pohon se Ai mund të falë të gjitha gjynahet
dhe krimet përveç idhujtarisë:
Padyshim që Allahu nuk fal që Atij t'i vihen shokë në
adhurim, por Ai fal përveç kësaj këdo që Ai dëshiron. Dhe kushdo që i
vë shok Allahut në adhurim vërtet ai ka shpikur një gjynah të tmerrshëm.(Sure
an-Nisa': 48).
Pika fillestare e idhujtarisë, që është një "mëkat dhe shpifje" shumë
e madhe, është t'i përshkruash veçoritë e Allahut një qënieje tjetër,
thjesht me mend. Fakti është se, atributet (fuqia, inteligjenca, bukuria
e me rradhë) që ne ia përshkruajmë qënieve të tjera nuk i përkasin në
të vërtetë atyre; ato janë dhënë nga Allahu për një periudhë kohe të përcaktuar
dhe të kufizuar. Duke thënë se këto atribute "i përkasin" qënieve të tjera
veç Allahut thjesht do të thotë t'i shohësh ato si zotër. Kjo, përkufizohet
si: t'i bësh qëniet në fjalë shok të Allahut, me fjalë të tjera, të krijosh
të barabartë (shokë) me Allahun.
Përsa i përket njëshmërisë së Allahut, Kur'ani thotë:
Thuaj: "Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm, Allahu, Zotëruesi
i Vetëmjaftueshëm i çdogjëje. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe
s'ka asnjë të barabartë ose të krahasueshëm me të.(Sure el-Ihlas: 1-4)
Siç thuhet në ajetet e mësipërme, Allahu është Furnizuesi i të gjithëve;
çdo qënie ka nevojë për Të që të ekzistojë. Asnjë gjë është e barabartë
me Të. Nëse ky fakt mohohet dhe njerëzit fillojnë të mendojnë se ndonjë
qënie ekziston me vullnetin e saj, pa mbështetjen e Allahut, shfaqet idhujtaria
(shirku). Me këto mendime, njeriu harron se çdo gjallesë është nën kontrollin
e Allahut. Shfaqet papritur një besim i rremë rreth ekzistencës së ndonjë
qënieje, që s'ka nevojë për Allahun. Dhe të besosh që një qënie e tillë
mund të ekzistojë bën që njeriu t'i kërkojë ndihmë, të kërkojë aprovimin
dhe të pranojë rregullat e tij.
Megjithatë, besimtarët që nuk i bëjnë shok Allahut kthehen vetëm nga
Ai pasi ata e dinë se Allahu ka fuqinë mbi çdo gjë. Kjo llogjikë bazë
e besimtarëve citohet në Kur'an si më poshtë:
Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të mbeshtetemi e të
kërkojmë ndihmë.(Sure el-Fatiha: 4)
Ata që i bëjnë shok Allahut në fakt kthehen drejt qënieve që nuk janë
të aftë t'i ndihmojnë ata. Kjo sepse qëniet që ata i marrin si hyjni janë
gjithashtu shërbëtorë shëndetligë si ata vetë. Mbi këtë Allahu citon:
A i mveshin e i përshkruajnë ata shokë Allahut ato (gjëra,
idhuj, zota) që nuk kanë krijuar kurrgjë por përkundrazi vetë janë të
krijuar? Asnjë ndihmë nuk munden ato t'u japin atyre dhe as vetveten e
tyre nuk e ndihmojnë dot aspak. Edhe nëse i thërrisni në udhëzim, ata
nuk ju ndjekin dhe nuk jua vënë veshin. Njësoj është për to, si t'u bëni
thirrje a të heshtni. Sigurisht se ata që ju i lutni në vend të Allahut,
ata vetë janë robër si dhe ju. Thirruni pra atyre dhe le t'u përgjigjen
nëse jeni të drejtë.(Sure al-Araf: 191-194).
Pra, idhujtaria është shpifje dhe mashtrim i madh dhe qëndrim jo i urtë.
Kjo përshkruhet në Kur'an si më poshtë:
O njerëz! Është thurur një përngjasim për ju, kështu
që dëgjoni mirë: Me të vërtetë që ata të cilëve ju u drejtoheni në vend
të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe sikur të mblidheshin
të gjithë së bashku për t'ia arritur qëllimit. Dhe nëse miza merr diçka
prej tyre, ata nuk do të kenë aspak fuqi për ta çliruar atë prej mizës.
Kësisoj, të dobët janë që të dy, edhe lutësi edhe i luturi. Ata nuk e
kanë vlerësuar lart Allahun me Lartësinë e Tij të Merituar. Vërtet që
Allahu është Fuqiplotë, i Gjithfuqishëm.(Sure el-Haxh: 73-74)
Idhujtaria shfaqet në forma të ndryshme. Meqë njerëzit marrin qënie të
tjera veç Allahut si hyjni, ata kërkojnë aprovimin e tyre, i varin shpresat
tek ato dhe i pranojnë gjykimet e tyre si të vërteta. Në këtë mënyrë një
njeri i nënshtrohet miliona hyjnive imagjinare. Ai shpreson të gjejë qetësi
në këto qënie, të cilat janë po aq të pafuqishme sa ai vetë. Megjithatë,
ai që i bën shok Allahut është në një qorrsokak dhe humbja e tij është
shumë e madhe. Fakti shihet në Kur'an në vijim:
Bashkimi i të tjerëve në adhurim me Allahun është gabim
i madh.(Sure Lukman: 13)
Akoma duhet thënë se një njeri i tillë gënjen veten.
Kjo sepse "Allahu nuk i bën padrejtësi aspak njerëzimit, por njerëzimi
i bën padrejtësi vetes së tij" (Sure Junus: 44).
|